Limaj konfirmon pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Kurti

Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, para pak minutash ka shkruar lidhur me zhvillimet politike pas daljes së aktgjykimit të Kushtetueses lidhur me bllokadën politike në Kuvendin e Kosovës dhe për thirrjen e aktgjykimit për gjetjen e një rruge përpara brenda 30 ditëve.

Limaj ka thënë se qëndrimi i NISMA-s menjëherë pas zgjedhjeve se për interesa nacionale është i gatshëm të bisedojë me secilin prej liderëve politikë që e fton, ishte një lexim i drejt i situatës, meqë sipas Limajt bazuar në rezultatet zgjedhore ishte e qartë se pa një marrëveshje mes partive s’do të kishte as konstituim të Kuvendit e as formim të Qeverisë.

“Sot, kur të gjithë liderët politikë janë ftuar në një tryezë nga kryetari i Vetëvendosjes dhe po e pranojnë nevojën për një marrëveshje politike, është me rëndësi të kujtojmë se kjo nuk është një rrugë e re, por është rruga që ne e kemi propozuar muaj më parë! Rrugë që atëherë u kontestua, u nënvlerësua, u kritikua, e madje u shoqërua edhe me linçim publik”, ka thënë Limaj.

Sipas tij në vendim të Kushtetueses thuhet qartë që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është proces që kërkon marrëveshje politike, jo bllokim, jo taktika dhe jo shfaqje publike.

“Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë: Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit është proces që kërkon marrëveshje politike, jo bllokim, jo taktika dhe jo shfaqje publike. Fatkeqësisht, e gjithë kjo kohë nuk u përdor për zgjidhje, por për akuza, ndarje dhe hipokrizi politike.Sot gjithçka është bërë e qartë. Qëndrimi ynë ka qenë i drejtë, dinjitoz dhe në shërbim të vendit”, ka shkruar Limaj.

Ai ka konfimruar se nesër do të marrrë pjesë në tryezën e ftuar nga Kurti për të ndarë të njëjtin qëndrim politik.

“Kosova ka nevojë për marrëveshje, jo për teatër politik. Për lidership, jo për kalkulime”, ka shkruar Limaj.

Back to top button