​Limaj: Mundësia për ndryshim është Nisma në Kuvend, më pas vjen bashkimi me GP të PDK-së

Kryetari i NISMA Socialdemokrate Fatmir Limaj ka mbajtur në orët mbrëmjes një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Ai ka thënë se një bashkim i mundshëm me Partinë Demokratike të Kosovës para zgjedhjeve të parakohshme më 28 dhjetor nuk ka ndodhur dhe se Nisma do të hyjë në garë si parti e vetme me 110 kandidatë.

Megjithatë, Limaj tha se bashkimi i madh do të ndodhë vetëm pas hyrjes së Nismës në Kuvend, me Grupin Parlamentar të PDK-së.

“Lajmi për bashkim gjithmonë gjen zemra, se bashkimi paralajmëron fitore dhe sa jemi të bashkuar kemi arritur rezultate për ndërtimin e qëllimit tonë. Sikurse e kam premtuar qindra e mijëra bashkëpunëtorë, iu kam premtuar që ne në minutën e fundit të punojmë fort për t’iu ofruar një mundësi bashkimi, i cili jep shpresë për ndryshime. Unë besoj shumë, shpresë i duhet guxim, shpresa për t’u realizuar për tu mbajtur gjallë kërkon guximin për të shpresuar, andaj jam munduar që deri më tash sonte ta japim një lajm të madh. Fatkeqësisht, ai bashkim që e kemi pritur anekënd Kosovës…Deri në sekondë jemi munduar pa kushte ta plotësojmë që t’i japim mundësi ndryshe Kosovës kemi dashur që në këtë garë të shkojmë bashkë, por fatkeqësisht ky bashkim nuk ka ndodhur…. Sonte po e them para jush, ju që e doni bashkimin, dua publikisht ta them fjalën, Nisma garon në zgjedhje me 110 burra e gra, familjarë të dëshmorëve, intelektualë, gra e burra që kanë vetëm një synim për t’i dhënë një ndryshim Kosovës, qeverisjes dhe bashkimit të madh. Me deputetët e NISMA në Parlamentin e Kosovës, unë sonte do ta jap premtimin dhe ai është ky – nëse Nisma do të jetë në Parlament, me grupin e vet parlamentar do t’i bashkohemi bashkimit me gjithë ata që kanë kërkuar bashkimin me grupin parlamentar të PDK-së…Dikush e pamundësoi bashkimin, por askush s’mund të ma ndalë të bashkohemi në Parlament me një grup të fuqishëm parlamentar, grup i cili do ta ndryshojë qeverisjen”, tha Limaj.

Ai tha se mundësia e ndryshimit të qeverisjes në vend është hyrja e Nismës në Parlament duke fituar gjashtë deputetë.

“Mundësia për ndryshim të qeverisjes është vetëm në një drejtim- vetëm nëse Nisma e kalon pragun dhe i bashkohet grupit parlamentar të PDK-së. Ne kemi mbi 20-30 mijë vota, janë ato që janë zemra lojale besnike, por ta lëmë me 25-30, por krejt çka na duhet, me 15 mijë vota ne shkojmë me 6 deputetë në Parlamentin e Kosovës”, tha Limaj.

Ai ka thënë se Nisma e ka të vështirë pragun pesë për qind dhe kërkoi besimin e qytetarëve në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Po, ne e kemi shumë të vështirë pragun, por sa të jem unë në Parlament nesër apo s’jam as nuk do të mund të vendosin studiot, as tavolinat, as nuk do të mund të vendosin skutat, por do të vendosë qytetari i Republikës së Kosovës”, tha Limaj.

Limaj ka uruar që procesi zgjedhor të përfundojë me ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

NISMA Socialdemokrate në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të garojë e vetme si parti politike me numrin rendor 122.

Back to top button