Limaj pret që javën tjetër të procedohet në Kuvend platforma për dialog

Limaj e ka njoftuar ambasadorin e Norvegjisë për takimin që delegacioni do ta zhvillojë javën e ardhshme në Bruksel

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe bashkëdrejtuesi i Delegacionit të Kosovës për Bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj, ka pritur në takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad.

Limaj e ka njoftuar ambasadorin për angazhimin e Delegacionit Shtetëror për Bisedimet me Serbinë. Në këtë drejtim, Limaj tha se delegacioni tanimë ka formuar gjashtë komisione të cilat do të merren me temat që do të trajtohen gjatë diskutimeve në Bruksel.

Po ashtu, Limaj e ka njoftuar ambasadorin për takimin që delegacioni do ta zhvillojë javën e ardhshme në Bruksel.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Limaj tha se Kosova po demonstron çdo ditë se është për dialog, i cili sjell njohje reciproke mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe hapjen e perspektivës së qartë evropiane për Kosovën.

Limaj po ashtu tha se pret që javën tjetër, delegacioni ta procedojë në Kuvend platformën për bisedime me Serbinë.

Në anën tjetër, ambasadori norvegjez ofroi ndihmën e Norvegjisë për Delegacionin Shtetëror të Kosovës, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve, e cila do t’i mbyllte të gjitha temat e hapura mes Kosovës dhe Serbisë.

Back to top button