Lirim Sylejmani, ish- pjesëtari i ISIS dënohet me 10 vjet burg në SHBA

Lirim Sylejmani, 49 vjeç, shtetas amerikan i lindur në Kosovë, u dënua sot në Gjykatën e Qarkut të SHBA-së me 10 vjet burg në lidhje me kryerjen e trajnimit ushtarak me Shtetin Islamik të Irakut dhe al-Sham (ISIS) dhe më pas angazhimin në të paktën një betejë me forcat e koalicionit të udhëhequra nga SHBA-të, transmeton KosovaPress.

Dënimi u njoftua nga prokurorja e SHBA-së Jeanine Ferris Pirro, shefja e Divizionit të Sigurisë Kombëtare të Departamentit të Drejtësisë Sue Bai dhe agjentja Speciale e FBI-së në detyrë Courtland Rae e Divizionit Kundër Terrorizmit të Zyrës Territoriale të Uashingtonit.

Sylejmani, i njohur edhe si Abu Sulayman al-Kosovi, u deklarua fajtor më 12 dhjetor 2024 për kryerjen e trajnimit të tipit ushtarak nga një organizatë e huaj e përcaktuar si terroriste. Përveç dënimit me burg, gjykatësi Rudolph Contreras urdhëroi që Sylejmani të vuajë një lirim të mbikëqyrur për jetë.

“Ky i pandehur do të kalojë një dekadë në burg duke menduar për tradhtinë ndaj këtij vendi”, tha prokurori i SHBA-së Pirro. “Kushdo që mendon se ISIS është përgjigjja e pyetjeve të tij, le ta mendojë përsëri. Ne do të bëjmë çmos për të çrrënjosur individët subversivë që duan të përmbysin qeverinë dhe të dëmtojnë qytetarët e saj.”

Sipas dokumenteve të gjykatës, nga nëntori 2015 deri në shkurt 2019, Sylejmani mori trajnim ushtarak nga ISIS në Siri. Sylejmani u kap nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) në vitin 2019 dhe foli me një numër mediash rreth kohës së tij me ISIS.

Në nëntor 2015, Sylejmani, udhëtoi për në Siri me familjen e tij për t’u bashkuar me ISIS. Pasi hyri në Siri, Sylejmani përfundoi procesin e pranimit në ISIS. Ai mori emrin Abu Sulayman al-Kosovi dhe u trajnua për t’u bërë ushtar me rekrutë të tjerë të ISIS. Trajnimi ushtarak i Sylejmanit përfshinte udhëzime se si të montohej dhe të qëllohej me një pushkë AK-47, si dhe si të përdorej një mitraloz PK, pushkë M-16 dhe granata.

Back to top button