Lirimi i hapësirave publike në Shqipëri, Rama: Operacioni nuk ndalet askund e përballë askujt

Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme, synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë më shumë hapësira publike dhe zhvillim për qytetarët dhe komunitetet.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, publikoi sot në rrjetet sociale, pamje nga një tjetër operacion, këtë në zonën e Farkës. Në pamje shfaqet momenti kur një kompleks vilash pa leje shemben me tritol nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ndërsa Rama pohoi se “nuk mund të ndërtohen vila të shtrenjta për qëllime fitimi në dëm të ligjit e në kurriz të komunitetit”.

“Operacioni nuk do të ndalet askund dhe përballë askujt, deri kur asnjë të mos e mendojë fare më se mund të ndërtojë metra katrorë pa leje”, cilësoi Rama.

Operacioni kombëtar për vendosjen e ligjshmërisë në territor për ata që ndërtojnë pa leje, përtej lejes, apo për qëllime fitimi, ka nisur e po shtrihet në zonat rreth Tiranës, ku ndërtuesit, mbikëqyrësit, inspektorët, që kanë shkelur kushtet e lejeve për vila e godina të shtrenjta, do të përballen me masat administrative e penale, që parasheh legjislacioni në fuqi.

Operacioni ka nisur në korrik dhe vjen në kuadër të vizionit “Rilindja Urbane 2.0”.

Për këtë qëllim në dispozicion të qytetarëve të cilët duan të denoncojnë rastet abuzive është vënë në dispozicion Portali “Hapësiraimepublike.gov.al”. Deri më sot në këtë portal janë raportuar 15 310 raste, nga të cilat janë zgjidhur 11 686 raste, ndërsa 3 624 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.

Back to top button