Lirimi i tre policëve, Krasniqi: Lajm i mirë, tani është radha për shtensionimin e situatës në veri

(Lajm i përditësuar)

Lirimi i tre policëve, Krasniqi: Lajm i mirë, tani është radha për shtensionimin e situatës në veri

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar për lirimin e tre policëve të rrëmbyer nga autoritetet serbe dy javë më parë.

Krasniqi ka shkruar në Facebook se lirimi i tre policëve nga mbajtja arbitrare në Serbi-Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës, megjithëse mjaft i vonuar, është lajm i mirë për familjet e tyre dhe për qytetarët e shtetin tonë.

Tutje, Krasniqi ka theksuar se tani është radha për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të vendit dhe për rikthimin e normalitetit atje.

“Lirimi i tre policëve nga mbajtja arbitrare në Serbi – Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës, megjithëse mjaft i vonuar, është lajm i mirë për familjet e tyre dhe për qytetarët e shtetin tonë. Falënderoj të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët u angazhuan dhe luajtën një rol vendimtar në këtë proces. Tani, radha është për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të vendit dhe për rikthimin e normalitetit atje, përmes veprimeve të matura dhe të përgjegjshme politike”, shkruan Krasniqi.


Hoti falënderon ndërkombëtarët dhe Shqipërinë për lirimin e policëve

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se lirimi i tre policëve të Policisë së Kosovës është lajm i mirë.

Ai ka falënderuar ndërkombëtarët për lirimin e policëve.

Hoti ka shtuar se një angazhim të fuqishëm e ka pasur edhe Shqipëria.

“Falënderojmë miqtë ndërkombëtarë për përkushtimin për lirimin e tyre. Republika e Kosovës është mbështetur gjithmonë tek miqtë. Falënderim i veçantë për Shqipërinë për angazhimin e fuqishëm dhe koordinimin me aleatët e Kosovës për lirimin e policëve”, ka shkruar ai në “Facebook”.


Haxhiu: Lirimi i policëve dëshmon skemat e krijuara nga Beogradi me qëllim destabilizimin në veri

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas lirimit të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia.

Haxhiu ka thënë se lirimi i tre policëve dëshmon vërtetësinë për skemat e krijuara nga Beogradi me qëllim destabilizimin në veri të vendit.

Tutje, Haxhiu ka thënë se rrëmbimi i tre policëve nuk kishte të bënte me drejtësi, por me agresionin e Serbisë në Kosovë.

“Lirimi nga paraburgimi në Serbi i tre policëve të Kosovës, është lajm i mirë që dëshmon edhe më tej vërtetësinë për skemat e krijuara nga Beogradi me qëllim destabilizimin në veri të vendit. Kidnapimi i tre policëve nuk kishte të bënte me drejtësi por me agresionin e Serbisë në Kosovë. Këtë fakt duhet ta njohin dhe pranojnë edhe miqtë tanë ndërkombëtarë të cilët duhet të kërkojnë përgjegjësi ndaj autoriteteve serbe për hyrjen e tyre të jashtëligjshme në Kosovë dhe rrëmbimin e tre policëve kufitarë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Tre policët e Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat serbe janë liruar me vendim të Gjykatës në Kralevë.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Sekretari në zyrën ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli./21Media

Back to top button