Lirohen hapësirat publike në plazhin e Velipojës

Në plazhin e Velipojës kanë nisur me intensitet ndërhyrjet për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme përgjatë vijës bregdetare.
Që në orët e para të mëngjesit të së dielës, strukturat e Policisë Bashkiake të Shkodrës kanë qenë në terren për të ndaluar çdo formë zaptimi të hapësirës publike të dedikuar për pushuesit.
Gjatë këtij operacioni janë evidentuar raste të vendosjes së çadrave dhe shezlloneve pa autorizim në zonat publike të plazhit. Për këto shkelje janë vendosur gjoba administrative dhe mjetet e vendosura në kundërshtim me ligjin janë sekuestruar.
Aksioni është pjesë e një fushate më të gjerë të ndërmarrë nga Bashkia Shkodër për të garantuar akses të lirë në plazh për të gjithë qytetarët, pa pagesë dhe pa pengesa nga subjektet private.
Drejtori i Policisë Bashkiake Shkodër, Saimir Rrustemi, theksoi se operacioni do të vazhdojë me intensitet gjatë gjithë sezonit turistik.
Më tej ai falënderoi strukturat mbështetëse për angazhimin dhe qytetarët për bashkëpunimin, duke theksuar rëndësinë e respektimit të rregullave për një sezon turistik të qetë dhe të organizuar për të gjithë.