Lirohen nga QKUK-ja të gjithë të lënduarit nga aksidenti në Vragoli

(Lajm i përditësuar)

13 persona nga 30 që mbetën të lënduar në aksidentin e sotëm që ndodhi në Vragoli kanë marrë trajtime në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Për portalin rtv21.tv mjeku kujdestar, Naser Syla, tha se gjendja e tyre është stabile dhe të gjithë janë lëshuar për në shtëpi.

“Janë sjellur 13 persona prej aksidentit ku 7 prej tyre janë nxënës. Të gjithë e kanë marrë trajtimin dhe gjithë janë lëshuar në shtëpi pasi s’kanë pasur lëndime të rënda”, tha Syla.

Aksident i rëndë në magjistralen Prishtinë-Pejë, 30 persona të lënduar

30 persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot në fshatin Vragoli.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, i cili tha se në aksident ishin të përfshirë një autobus, një kamion dhe një veturë.

“Në ora 15:50, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë (fshati Vragoli). Në aksident është përfshirë një autobus me targa të huaja, një kamion me targa vendore dhe një veturë po ashtu me targa vendore. Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vend-ngjarje. Si pasojë e aksidentit 30 persona që kanë pësuar lëndime”, ka thënë Krasniqi.

Tutje, ai tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet mjekësore./21Media

Back to top button