Lirohet Gëzim Sveçla, Gjykata refuzon kërkesën për caktim të masës së arrestit shtëpiak ndaj tij

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj shefit të asamblistëve i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, duke vendosur që i njëjti të mbrohet në liri.

Sveçla dyshohet për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, për rastin e demolimit të mikrofonit në Kuvendin Komunal në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në njoftim thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak dhe i pandehur lirohet të mbrohet në liri.

“Gjykata pas dëgjimit të palëve dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, konstatoi se kërkesa për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin G.S. është e pabazuar dhe shkon përtej qëllimit të masave për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, pengimin e rikryerjes së veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës dhe meqenëse nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së propozuar dhe as të ndonjë mase tjetër më të butë, gjykata vendosi që i pandehuri G.S. të mbrohet në liri”, thuhet në njoftim.

Back to top button