Lista Guxo garon bashkë me VV-në në zgjedhjet lokale

Lista Guxo në zgjedhjet lokale të 17 tetorit do të garojë bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje. Këtë e ka konfirmuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz përmes një postimi në “Facebook”.
“Në zgjedhjet nacionale Lista Guxo ka garuar bashkë me Lëvizjen Vetvendosje dhe së bashku arritëm që me forcën e votës të bëjmë ndryshimin e pritur nga qytetarët e Kosovës. Prandaj jemi të bindur që garimi i përbashkët edhe në zgjedhjet lokale do të sjellë përfundimisht ndryshimin e shumëpritur në Kosovë. Prandaj Lista Guxo ka vendosur që në zgjedhjet e ardhshme komunale të marrë pjesë në lista të përbashkëta me Lëvizjen Vetvendosje. Kjo jo vetëm për arsye se Lista e Referendumit (VV + Guxo + Alternativa) arriti fitoren plebishitare në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, por edhe sepse koalicioni ynë i përbashkët qeveritar ka dëshmuar se din dhe don ta bëjë ndryshimin e premtuar”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo tutje ka thënë se koalicioni synon shtetin ligjor e me mundësi të barabarta për të gjithë duke shtuar se “askush nuk ka të drejtë që në emër të Listës Guxo, në emër të frymës dhe konceptit të saj politik, të mbledhë vota me destinacion tjetër”.
Sipas saj, ndryshimet që po vijnë në Kosovë do të krijojnë perspektivë më të mirë për të gjithë. Kjo sipas saj nuk arrihet me ndarje të posteve shtetërore për militantë partiak, pa ekspertizë e kompetencë profesionale.
“Ata që ndihen të zhgënjyer për faktin që përzgjedhja në institucionet shtetërore tashmë bëhet në bazë të kritereve profesionale e jo duke shpërblyer militantë partiak, nuk e kanë kuptuar qartë mesazhin që votuesi kosovar dha në zgjedhjet nacionale. Njoftojmë anëtarët dhe simpatizantët e Listës Guxo se gjatë ditëve të ardhshme, së bashku me dy deputetët e Ferizajit të Listës Guxo dhe me mbështetësit dhe aktivistët e shumtë do të takohemi për t’u koordinuar rreth hapave të mëtejmë. Takime të tilla do të mbahen në të gjithë vendin”, ka shkruar tutje Gërvalla./21Media

Back to top button