Lista Serbe ankohet në Kushtetuese për zgjedhjen e nënkryetarit serb

Gjykata Kushtetuese në një përgjigje të shkurtër për RTV21 e konfirmoi pranimin e kërkesës së Listës Serbe por nuk dha detaje lidhur me përmbajtjen e saj.

Ndërkaq Lista Serbe e cila kërkoi edhe vendosjen e masës së përkohshme tha se ankesa në kushtetuese ka të bëjë me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës.

“Po ashtu, kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme. Presim që Gjykata Kushtetuese të veprojë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse kjo çështje është me rëndësi më të gjerë shoqërore. Në të njëjtën kohë, të mbrojë të drejtat e popullit serb, duke refuzuar të jetë një instrument në duart e regjimit të Albin Kurtit”, thuhet nga Lista Serbe.

Ankesa e Listës Serbe në kushtetuese dhe kërkesa saj për masë të përkohshme erdhi në një kohë kur po rrjedh afati për formimin e qeverisë së re nga i mandatuari Albin Kurti.

Në Institutin Demokratik të Kosovës thonë se në rast se vendoset masa e përkohshme nga gjykata atëherë pezullohet rrjedhja e aftit për formim të qeverisë. Hulumtuesit Vullnet Bugaqku vlerëson se ka hapësirë për kontestim të procedurave te zgjedhjes së nënkryetarit serb.

Avokati, Ardian Bajraktari ndërkaq pret që pas kërkesës së Listës Serbe gjykata të vendos masë së përkohshme.

Edhe nëse gjykata nuk vendos masë të përkohshme dhe nuk e pranon si të bazuar ankesën e Listës Serbe Bugaqku dhe Bajrakatari nuk presin formim të qeverisë duke vënë theksin tek zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga komuniteti serb. Teksa më pas presidentja Osmani, mandatoi kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re i cili i ka vetëm edhe 9 ditë kohë në rast se gjykata nuk vendos masë të përkohshme./RTV21/21Media

Back to top button