Lista Serbe kërkon ndërprerjen e dialogut Kosovë-Serbi

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kërkoi nga autoritetet në Serbi që të ndërpresin dialogun me Kosovën, derisa, siç tha ai, “të tërhiqen të gjitha forcat speciale”.

“I kërkojmë presidentit [të Serbisë, Aleksandar Vuçiq] dhe Qeverisë të ndërpresë ose të pezullojë çdo lloj dialogu deri në tërheqjen e të gjitha forcave speciale” të Policisë së Kosovës, tha Rakiq gjatë një konference për media më 27 maj.

Dialogu për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Kjo kërkesë e Listës Serbe vjen një ditë pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Grupe të serbëve lokalë u përleshën me Policinë e Kosovës, teksa tre kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale për të nisur mandatin e tyre.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë serbët e mbledhur para ndërtesave komunale, teksa në Zveçan u raportua edhe për të shtëna me armë.

Disa makina policore u dogjën, ndërkaq të paktën pesë policë u lënduan.

Lista Serbe, që është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, kërkoi po ashtu tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale, dhe zyrtarë të kësaj partie vlerësuan se kryetarët e rinj shqiptarë “janë të paligjshëm”.

Gjatë konferencës për media, Rakiq përsëriti qëndrimin e partisë së tij se serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të plotësohen kushtet e paraqitura më herët nga ta, përkatësisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tërheqjen e njësive speciale nga veriu./rel

Back to top button