Lista Serbe kërkon shpallje të zgjedhjeve në veri, thotë se do të marrë pjesë

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, u ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të shpallin sa më parë zgjedhjet për kryetarë dhe kuvende komunale në katër komunat në veri të Kosovës, duke thënë se ata janë gati të marrin pjesë në to.

Rakiq në një konferencë për media ka thënë se tani topi është në anën e Prishtinës, raportojnë mediat serbe.

“Është e nevojshme që këta kryetarë komunash dhe këtë këshilltarë komunal të rremë, joligjor dhe jolegjitim, që kanë muaj që ngacmojnë qytetarët tanë të japin urgjentisht dorëheqjen dhe të largohen, për të dalë nga godinat tona, sepse nuk janë përfaqësues të popullit tonë. Qëllimi i tyre i vetëm është të ngacmojnë shtetasit tanë”, është shprehur Rakiq.

Po ashtu Rakiçi ka thënë se vendimet politike janë marrë gjithmonë në koordinim me Beogradin.

“Kjo është arsyeja pse këtë herë ne do të dëgjojmë këshillën e presidentit Vuçiq dhe sot po dërgojmë një mesazh se jemi gati të marrim pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës dhe Metohisë, dhe kështu të inkurajojmë procesin politik dhe dialogun që do të çonte në përmbushjen e kushteve tona që i kemi theksuar vazhdimisht deri më tani. Kjo është arsyeja pse ne i kërkojmë Prishtinës të shpallë zgjedhje të parakohshme lokale për kryetarë dhe këshilltarë në të katër komunat në veri të Kosovës dhe Metohisë sa më shpejt të jetë e mundur”, është shprehur Rakiq.

Back to top button