Lista Serbe: Nuk marrim pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës

Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës, të cilat do të mbahen në muajin prill, për shkak se, siç kanë deklaruar, nuk janë plotësuar kërkesat që kanë bërë që ata të largohen nga institucionet e Kosovës.
Në një njoftim për media, lista serbe ka bërë të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar njoftim partive të tyre politike se nga data 9 deri më 18 mars është afati i fundit për regjistrim partiak për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës.
Tutje ata kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë zgjedhje derisa të plotësohen kërkesat e tyre legjitime.
“Kjo e bën më se të qartë se Kosova dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po përpiqen që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb, kundër vullnetit të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe./21Media

Back to top button