Lista Serbe nuk merr pjesë në zgjedhjet e 18 dhjetorit

Më 18 dhjetor mbahen zgjedhjet në veri

Lista Serbe ka bërë të ditur të martën se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në katër komunat veriore.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna pritet të mbahen më 18 dhjetor.
“Marrë parasysh vendimin e Prishtinës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, duam të informojmë publikun se Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, e as qytetarët që e përkrahin partinë tonë, nga të cilët mbi 95% janë në këto zona”, thuhet në njoftim.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 18 dhjetorin si datë për zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës: Mitrovicë Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Të katër komunat veriore kanë mbetur pa kryetarë, pas dorëheqjeve të kryetarëve nga radhët e Listës Serbe./21Media

Back to top button