​Konstituohet Kuvendi i Kosovës

(Lajm i përditësuar)

​Konstituohet Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës është shpallur i konstituuar në vazhdimin e seancës që është mbajtur të premten.

Kryetari i Kuvendit Dimal Basha e ka shpallur të konstituar organin ligjvënës, pasi nënkryetar nga radhët e komunitetit serb është zgjedhur deputeti Nenad Rashiq.

Pas përfundimit të seancës kryetari Basha, ka thënë se procedura për zgjedhjen e nënkryetarit serb e më pas shpallja e Kuvendit të konstituuar ka qenë në rregull.


Rashiq merr votat për nënkryetar të Kuvendit

Deputeti nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, ka marrë votat e mjaftueshme për kandidat për nënkryetar të Kuvendit.


Edhe Miljana Nikoliq s’votohet për nënkryetare të Kuvendit

Në tri raundet e votimit vota për nënkryetare nuk ka marrë as deputetja e Listës Serbe, Miljana Nikoliq.

Ajo ka qenë e pesta me radhë nga kjo parti që nuk është votuar për nënkryetare të Kuvendit.


Edhe Çeraniqi s’i merr votat e nevojshme për nënkryetare të Kuvendit

Në tri raundet e votimit vota për nënkryetare nuk ka marrë as deputetja e Listës Serbe, Verica Çeraniq.

Ajo ka qenë e katërta me radhë nga kjo parti që nuk është votuar për nënkryetare të Kuvendit.

Para saj vota nuk kanë marrë as deputetët Slavko Simiq, Zlatan Elek dhe Liljana Stevanoviq.


As Stefanoviqi s’i merr votat për nënkryetare

Në tri raundet e votimit, vota për nënkryetare të Kuvendit nuk ka marrë as deputetja e Listës Serbe, Liljana Stefanoviq.

Ajo ka qenë e treta me radhë nga kjo parti që nuk është votuar për nënkryetare.

Para saj vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur nuk kanë marrë as deputetët Slavko Simiq dhe Zlatan Elek.


S’ka vota as për Zlatan Elek

Ka dështuar të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb edhe Zlatan Elek i Listës Serbe.

Ai ishte kandidati i dytë i propozuar nga Lista Serbe për nënkryetar pas Slavko Simiqit.

53 votuan kundër, 42 abstenime dhe 9 për.


Slavko Simiqi nuk i merr votat për nënkryetar

Slavko Simiq nuk ka marrë votat e nevojshme për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb.

Lista Serbe paraprakisht e kishte propozuar Slavko Simiqin për nënkryetar.

Simiq ka dështuar për tri herë t’i sigurojë votat e deputetëve të Kuvendit.


Rashiqi e sheh “shumë të mundshme” votimin pro tij si nënkryetar

Deputeti nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, ka thënë se do të jetë kandidat për nënkryetar të Kuvendit nëse i vjen radha.

“Kjo e fundit nuk varet prej meje sa i përket votave, por nëse vjen radha ime gjithmonë kam thënë se jam politikan i përgjegjshëm, nëse vjen radha ime dhe votojnë për mua unë do e marr detyrën në formën e përgjegjësisë që e ka në edhe partitë e tjera në Kuvend. Nuk e di si shkon, por me siguri besoj së pari Lista Serbe i kandidon një apo më shumë kandidatë, por nëse i shpenzojnë kandidatët, dhe vjen radha ime unë do të kandidoj”, ka thënë ai.

Rashiq e sheh të mundshme që edhe deputetët e partive të tjera shqiptarë kësaj radhe ta votojnë.

 


Murati: Shkelja e vetme kushtetuese në seancën e fundit, ishte mosvotimi i deputetëve të opozitës

Para fillimit të seancës së sotme konstituive deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, tha se seanca e fundit e Kuvendit është zhvilluar në mënyrë të rregullt, duke thënë se “shkelja e vetme kushtetuse” lidhet me mosvotimin nga deputetët e opozitës.

Murati tha se Kushtetuesja ka konstuar se ndarja e votimit për nënkryetarët, nuk përbën shkelje.

“Gjykata ka konstatu qe ndarja e nënkryetarëve nuk ishte shkelje. Gjithashtu ka konstatu që nenkryetari i pestë duhet të vijë nga komuniteti serb, nuk e ka përcaktuar që kjo e drejtë i takon Listës Serbe. 120 deputetëve i takon që te votojnë e mos ta shkelin Kushtetutën siç kanë berë herën e fundit”, ka deklaruar Murati.


​Bahtiri këmbëngul: Rashiq do të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, është shprehur optimist se deputeti nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, do të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ai, në vazhdimin e seancës konstituive për herë të 60-të, ku deputetët pritet të votojnë për ta zgjedhur nënkryetarin e pestë nga komuniteti serb, tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka votë për asnjë kandidat nga Lista Serbe.

Madje nënvizoi se “më përpara e pres dorën, sesa votoj ndonjë kandidat nga Lista Serbe”.

“Sigurisht se Rashiq do të zgjidhet (nënkryetar). Unë kam deklaruar se e pres dorën dhe nuk votoj për Listën Serbe. Kështu e kanë vendimin edhe kolegët në Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo është e bazuar në problemet që i kanë bërë në veri dhe janë të kyçur direkt në atë pjesë. Nuk votoj njerëz që kokën e kanë në Beograd dhe trupin në Prishtinë”, tha ai.

Megjithatë, Bahtiri nuk tregoi sesi do ta zgjedhin deputetin Rashiq si nënkryetar të Kuvendit, pas aktgjykimit të tretë të Kushtetueses në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe procedurat për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

“Tash është e qartë se edhe gjërat kanë ndryshuar për momentin dhe janë vetëdijesuar”, theksoi Bahtiri.

Gjykata Kushtetuese më 8 tetor ka publikuar aktgjykimin e plotë pas ankesës së Listës Serbe lidhur me konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa ka dhënë 12 ditë afat për deputetët që të përfundojnë procesin e konstituimit. Afati prej 12 ditësh ka nisur të rrjedhë prej ditës kur aktgjykimi i plotë u publikua në faqen zyrtare të gjykatës – më 8 tetor.


​​Kadrijaj: Nuk do të votojmë për nënkryetar asnjë kandidat nga pakica serbe

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk do të votojë asnjë kandidat për nënkryetar nga pakicat serbe. Para fillimit të seancës konstituive, deputetja Time Kadrijaj tha se “ata që e kanë bllokuar këtë situatë le ta zhbllokojnë”.

Ajo deklaroi para gazetarëve se qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje në vazhdimësi ka qenë të mos konstituohet kuvendi.

“Ne e kemi ditur që do të vijmë në këtë situatë të bllokadës sepse qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje në vazhdimësi ka qenë që të mos konstituohet kuvendi dhe ju e dini që nuk e ka bërë minimumin e përpjekjeve për sigurimin e votave për kryeparlamentar. Ne kemi dashur t’i japim një epilog për të kaluar këtë situatë dhe ju e keni parë që në mënyrë arbitrare, pa një mocion, pa marrëveshje, është ndarë votimi i nënkryetarëve të komunitetit jo-shumicë sepse zakonisht sikurse nënkryetarët e shumicës votohen në bllok, është ndarë pa konsultim në mënyrë që të shkakton këto kauza që i ka Albini. Sepse duke qenë që jemi në prag të zgjedhjeve Albini po mundohet me këto kauza të rikthejë ndonjë komunë apo të mbajë ndonjë komunë, krejt kjo për poena politik. Tash është detyra e atyre që e kanë bllokuar që ta zhbllokojnë”, deklaroi ajo.

Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ndër tjera tha se njeriu që po i mban peng institucionet e Kosovës është Albin Kurti.

“Nuk do t’i votojmë asnjë, thash ata që e kanë bllokuar këtë situatë le ta zhbllokojnë. Ne kemi dashur t’i japim epilog, kemi ardhur deri tek këtu, asnjëherë zgjedhja e nënkryetarëve nuk është politizuar në këtë formë, ajo dihet me urdhëresë ose me rregullore të kuvendit, dihet se cila parti politike ju takon pozita e nënkryetarëve. Për shembull, ne si Aleancë nuk kemi pozitë të nënkryetarëve, i kemi votuar në mënyrë që të mos bllokohet konstituimi i kuvendit. Dhe bllokada e konstituimit të kuvendit, bllokada e Kosovës, njeriu që po i mban peng institucionet e Kosovës në mënyrë të paligjshme e ka emrin Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje”, ka shtuar ajo.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në tentimin e gjashtëdhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Të zgjedhurit e popullit para vetes kanë vetëm një pikë në rend të ditës: zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Gjykata Kushtetuese më 8 tetor ka publikuar aktgjykimin e plotë pas ankesës së Listës Serbe lidhur me konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa ka dhënë 12 ditë afat për deputetët që të përfundojnë procesin e konstituimit. Afati prej 12 ditësh ka nisur të rrjedhë prej ditës kur aktgjykimi i plotë u publikua në faqen zyrtare të gjykatës – më 8 tetor.


Gashi: Detyrimet kushtetuese duhet të zbatohen

Lidhja Demokratike e Kosovës po mban një mbledhje para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Sot pritet që deputetët që të votojnë për zgjedhjen e një nënkryetari serb, për çka deputeti i LDK-së, Arben Gashi tha se “detyrimet kushtetuese duhet të zbatohen”.

Para fillimit të seancës, ai tha para gazetarëve se bllokimi nuk është kushtetues, por politik.

“Bllokimi nuk është kushtetues, bllokimi është politik. Mungesa e konsensusit, mungesa e vullnetit për konsensus dhe mungesa e fuqisë politike për të formuar institucionet. Krejt këto tjerat janë lojëra dhe taktizime kushtetuese dhe nuk është aspak bllokadë kushtetuese”, deklaroi Gashi.

“Ajo është detyrim kushtetues por tash po shkojmë në mbledhje të Grupit Parlamentar për të parë një vendimin final. Unë mendoj se detyrimet kushtetuese duhet të zbatohen”, shtoi ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në tentimin e gjashtëdhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Të zgjedhurit e popullit para vetes kanë vetëm një pikë në rend të ditës: zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Gjykata Kushtetuese më 8 tetor ka publikuar aktgjykimin e plotë pas ankesës së Listës Serbe lidhur me konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa ka dhënë 12 ditë afat për deputetët që të përfundojnë procesin e konstituimit. Afati prej 12 ditësh ka nisur të rrjedhë prej ditës kur aktgjykimi i plotë u publikua në faqen zyrtare të gjykatës – më 8 tetor.


Hasani: Duhet të votohet kandidati i Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka kërkuar që të votohet kandidati i Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit.

Ai, në vazhdimin e seancës konstituive për herë të 60-të, ku deputetët pritet të votojnë për ta zgjedhur nënkryetarin e pestë nga komuniteti serb, tha se ata që e duan dhe mbrojnë shtetin e Kosovës duhet ta votojnë nënkryetarin, qoftë edhe nga Lista Serbe, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Hasani u shpreh optimist se përmes një marrëveshjeje politike do të konstituohet Kuvendi, madje, siç tha, deri të hënën e javës së ardhshme.

“Ata që e duan shtetin e Kosovës, e mbrojnë shtetin e Kosovës dhe kanë luftuar për shtetin e Kosovës, për me bë shtetin e Kosovës, duhet ta votojnë…(Vota e tij) Varet prej Grupit Parlamentar”, tha ai.

Megjithatë, deputeti i PDK-së kritikoi Gjykatën Kushtetuese që ka publikuar aktgjykimin dy ditë para zgjedhjeve lokale.

“Sot do të kemi një mbledhje të Grupit Parlamentar dhe sigurisht do të dalim me një qëndrim. E shoh si jo të drejtë daljen e aktgjykimit dy ditë para zgjedhjeve, që do t’i vë të gjitha partitë politike në presion. Besoj në një marrëveshje, do t’ia dalim, nëse jo tash, të hënën besoj po”, theksoi Hasani.

Gjykata Kushtetuese më 8 tetor ka publikuar aktgjykimin e plotë pas ankesës së Listës Serbe lidhur me konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa ka dhënë 12 ditë afat për deputetët që të përfundojnë procesin e konstituimit. Afati prej 12 ditësh ka nisur të rrjedhë prej ditës kur aktgjykimi i plotë u publikua në faqen zyrtare të gjykatës – më 8 tetor.


Një ditë pas publikimit të Aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, Kryeparlamentari Dimal Basha ka thirrur vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të mbahet sot.

Seanca do ta ketë një pikë të vetme, zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.

Ajo do të fillojë nga ora 10:00.

Back to top button