Luana Bajrami me filmin “Bota Jonë” në Festivalin e Filmit të Venedikut
Me vetëm 22 vjet, regjisorja dhe aktorja Luana Bajrami, e shënon suksesin e radhës. Filmi i saj “Bota Jonë” është përzgjedhur për të garuar në Festivalin e Filmit të Venedikut, i cili gjithashtu shënon edicionin jubilar numër 80.
Kështu ka shkruar kryeministri Albin Kurti, duke theksuar se filmi do të garojë në kategorinë “Orizzonti”, bashkë me filma të tjerë ndërkombëtarë të nivelit më të lartë kinematografik.
“Filmi “Bota Jonë” është financim i Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Aide au Cinéma du Monde, pra bashkëprodhim i Kosovës me Francën si filmi i parë i prodhuar pas nënshkrimit bilateral të marrëveshjes për bashkëprodhim filmik me shtetin e Francës, nënshkruar vitin e kaluar. Me filmin e saj debutues si regjisore ”Luaneshat e Kodrës”, Luana kishte garuar në Festivalin e Kanës në vitin 2021. Me përzgjedhjen e filmit të saj të dytë në Festivalin e Venedikut këtë vit, po dëshmohet se me potencialin si kineaste, emri i saj do të përmendet për shumë kohë në industrinë kinematografike botërore. Edhe roli i saj i Sophie në ”Portrait of a Lady on Fire” të Celine Sciamma, është i pashlyeshëm. Suksese në garë Luanës, Valbonës, Uratës, Elsës, Albinës, Donit, Aurorës, Ganisë dhe Armendit”, ka shkruar ai.