Luftimet Izrael – Iran intensifikohen në ditën e pestë

(Lajm i përditësuar)


Trump: Jo thjesht armëpushim, kërkoj fund të vërtetë të konfliktit Izrael-Iran

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur se synon një “fund të vërtetë” të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit, duke theksuar se nuk është i kënaqur vetëm me një armëpushim të thjeshtë. Pas kthimit të tij nga samiti i G7 në Kanada, Trump u shpreh para gazetarëve se ai kërkonte diçka më të thellë dhe më të qëndrueshme se një ndalim të armiqësive.

“Nuk po kërkoj një armëpushim, po kërkoj një fund të vërtetë”, tha Trump, duke shtuar se qëllimi i tij ishte një “dorëzim i plotë” nga Irani. Presidenti amerikan nënvizoi se nuk ishte angazhuar për bisedime paqeje me Iranin dhe e kritikoi atë për refuzimin e një marrëveshjeje që ishte paraqitur më herët.

Trump theksoi se ishte e rëndësishme që Irani të bënte një hap prapa dhe të pranojë një zgjidhje përfundimtare të konfliktit.


Katari: Po bashkëpunojmë çdo ditë me ShBA-në për t’i dhënë fund konfliktit Izrael-Iran

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari, tha se lidershipi i lartë i Katarit po angazhohet çdo ditë me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund konfliktit midis Iranit dhe Izraelit, duke paralajmëruar për rreziqet e luftës për sigurinë energjetike në rajon, raporton CNN.

“Ne kemi bërë të gjithë komunikimin e mundshëm midis të gjitha palëve në rajon dhe jashtë vendit. Këto bisedime midis nesh kanë qenë për të gjetur një rrugëdalje nga situata kur bëhet fjalë për këtë përshkallëzim”, tha Al Ansari.

Al Ansari tha se nuk janë shkëmbyer kërkesa midis Izraelit dhe Iranit, duke thënë se Doha dhe vendet e tjera të rajonit po zhvillojnë vetëm telefonata për momentin në një përpjekje për të filluar negociatat, duke shtuar se Emiri i Katarit Tamim bin Hamad Al Thani foli me Presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe Presidentin iranian Masoud Pezeshkian.

Ai përsëriti qëndrimin iranian se Teherani nuk do të negociojë nën zjarr.

Katari ndan fushën më të madhe të gazit në botë me Iranin, pjesa e Katarit e së cilës njihet si Fusha Veriore dhe ajo iraniane si Parsi Jugor. Shtetet fqinje arabe janë gjithashtu disa nga eksportuesit më të mëdhenj të naftës në botë.


Kallas: Irani s’duhet të ketë kurrë armë nukleare

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se Irani nuk duhet të ketë kurrë armë nukleare.

“Ne të gjithë pajtohemi që Irani nuk duhet të ketë kurrë një armë bërthamore. Është urgjente të qetësohet situata. BE-ja do të luajë rolin e saj në përpjekjet diplomatike”, ka shkruar ajo në platformën “X”.


Paralajmërimet e shteteve për qytetarët e tyre në Iran e Izrael

Shtetet gjithandej botës po u japin këshilla shtetasve të tyre që gjenden në Iran dhe Izrael, në këtë kohë të përshkallëzimit të luftimeve. Përderisa disa shtete po punojnë për evakuim të shtetasve të tyre, ka të tjera që po u rekomandojnë të strehohen.

Gjatë të martës, në Teheran raportohet se ka pasur shumë kolona të qytetarëve që janë larguar. Është dita e pestë që Irani dhe Izraeli po shkëmbejnë sulme ajrore në drejtim të njëri-tjetrit. Palët nuk kanë deklaruar se synojnë t’i ndalin sulmet në periudhë të shpejtë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Në një përditësim të hënën, Ambasada e SHBA-së u ka kërkuar të gjithë zyrtarëve dhe familjarëve të tyre në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Gazë të “strehohen në vend” dhe “afër rezidencave të tyre, deri në një njoftim të radhës”. “Ambasada e SHBA-së nuk është në pozitë aktualisht që t’i evakuojë ose të asistojë direkt në largimin nga Izraeli”, thuhet në njoftim.

Për amerikanët në Iran, ambasada virtuale ka paralajmëruar qytetarët të përgatiten “për strehim për periudha më të gjata”. “Qeveria e SHBA-së nuk ka marrëdhënie diplomatike ose konsullore me Republikën Islamike të Iranit”, u tha në përditësim.

Australia: Duke folur në transmetues publik, ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, ka thënë se rreth 650 shtetas të Australisë në Iran janë regjistruar që të largohen. Rreth 600 të tjerë janë regjistruar për largim nga Izraeli, ka thënë ajo.

Wong ka shtuar se autoritetet planifikojnë t’u ndihmojnë shtetasve të tyre kur të jetë e sigurt që mund të largohen.

India: Studentët indianë në Teheran janë larguar nga qyteti, e disa po pritet të largohen nga Irani përmes Armenisë, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Indisë. Qeveria e Indisë po përpiqet të lehtësojë evakuimet për qytetarët e vet nga Irani dhe tashmë ka nisur punën për këtë.

Pakistani: Qindra studentë pakistanezë janë larguar nga Teherani pas sulmeve të vazhdueshme të Izraelit. Raportohet se qindra pakistanezë janë larguar nga Irani. Aktualisht shtetasve të Pakistanit u ndalohet të udhëtojnë drejt Iranit.

Më 13 qershor, edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës këshilloi qytetarët që ndodhen në Izrael që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në vende të sigurta.


Luftimet Izrael – Iran intensifikohen në ditën e pestë

Luftimet mes Izraelit dhe Iranit janë rritur në ditën e pestë.

Këto janë zhvillimet më të fundit në këto luftime:

Sulmet e fundit të Iranit: Sirenat janë aktivizuar në disa qytete të Izraelit në orët e para të mëngjesit të së martës, teksa Irani nisi valën e nëntë të sulmeve, që pritet të vazhdojnë sipas mediave iraniane. Ushtria e Izraelit ka thënë se mbrojtja e vet ajrore po punon për t’i ndërprerë raketat iraniane.

Sulmet e Izraelit: Sulmet e Izraelit ditëve të fundit kanë vrarë top-komandantët dhe shkencëtarët bërthamorë, dhe kanë pasur cak infrastrukturën ushtarake, duke e kthyer programin bërthamor të Iranit “shumë, shumë prapa”, sipas kryeministrit Benjamin Netanyahu. Të hënën, Izraeli sulmoi infrastrukturën e raketave dhe aeroplanëve të Iranit.

Sulmi në media: Izraeli ka goditur edhe studiot e televizionit shtetëror iranian IRINN. Nima Rajabpour, redaktore, dhe Masoumeh Azimi, pjesë e administratës, u vranë nga sulmet. Sulmet kanë nxitur që ushtria në Iran t’u bëjë thirrje dy kanaleve tjera televizive të largohen nga zyrat.

Fatalitetet: Në Iran, janë vrarë të paktën 224 persona. Në Izrael, 24.

Lideri i Iranit në rrezik: Netanyahu nuk ka përjashtuar se e ka në cak liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khameney kur është pyetur nga ABC News. Ai po ashtu ka thënë se sulmet do të mund të çojnë në ndryshim të regjimit në Iran. Sipas CNN-it, Trumpi ka refuzuar planin izraelit për ta vrarë Khamenein.


Liderët e G7-s thirrje për depërshkallëzim në Lindje të Mesme, Trumpi largohet më herët

Liderët e shtatë vendeve më të industrializuara të botës kanë bërë thirrje për depërshkallëzim të situatës në Lindje të Mesme, si dhe për armëpushim në Rripin e Gazës, raporton BBC.

Përmes një deklarate të përbashkët, ata ripërsëritën përkushtimin e tyre për paqe dhe stabilitet në rajon, tek shtuan se në këtë kontekst Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u largua nga samiti më herët se liderët e tjerë.

Bazuar në raportime, Trumpi e kishte udhëzuar Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë të mblidhej menjëherë pas kthimit të tij, teksa Izraeli dhe Irani janë duke shkëmbyer sulme për ditën e pestë me radhë.

Në Shtëpinë e Bardhë bënë të ditur se presidenti amerikan pati një ditë të mrekullueshme në samit, duke thënë se u arrit shumë, përfshirë një marrëveshje tregtare midis SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.


Shpërthime në Teheran, iranianët braktisin shtëpitë

Mediat në Iran kanë raportuar se ka pasur shpërthime të rënda nga ajri në Teheran gjatë orëve të hershme të mëngjesit të së martës.

E “The Guardian” ka publikuar fotografi që tregojnë kolona të gjata të veturave duke u larguar menjëherë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u bëri thirrje që të evakuohen nga kryeqyteti “sa më herët”.

Gjatë natës, Irani lansoi dy valë raketash si përgjigje ndaj sulmeve të Izraelit, duke lëshuar alarmet në disa pjesë të shtetit hebre.

Sulmet ishin më pak intensive se një natë më herët, dhe nuk është raportuar për dëme direkte.

Duke folur për mediat, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se shteti i tij i ka dëmtuar dukshëm programet bërthamore dhe të raketave balistike të Iranit – por se “u duhet ende më shumë kohë”.

E orë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump, u largua më herët nga samiti i G7-s. Liderët e shtatë shteteve më të fuqishme kanë bërë thirrje për depërshkallëzim në Lindje të Mesme, përfshirë një armëpushim në Gaza.

Back to top button