Luigj Imeri emërohet ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut

​Bordi i përkohshëm i KEK-ut emëron Imerin

Bordi i përkohshëm i KEK-ut, njofton se në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më datën 24.04.2020 me vendim unanim ka emëruar Luigj Imerin në pozitën e u.d. të kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Sipas njoftimit të Bordit të përkohshëm, ky vendim është marrë bazuar në përgatitjen profesionale dhe eksperiencë e Imerit.

“Imeri ka studiuar në Universitetin Politeknik në Tiranë (1993-1999) dhe ka titullin; Inxhinier i diplomuar i Elektronikës duke vazhduar me studimet në Universitetin Amerikan të Kosovës (2006-2007) për Lidership dhe Menaxhim, nga ku merr edhe titullin: Magjistër i Shkencave për Shërbime të Menaxhimit. Ai gjithashtu ka ndjekur dhjetëra programe trajnuese dhe zhvillimore profesionale brenda dhe jashtë vendit, të gjitha të ndërlidhura me punën dhe operimet në KEK”, ka bërë të ditur Bordi.

Sipas njoftimit Bordi i përkohshëm ka marrë parasysh edhe eksperiencën mbi 20 vjeçare në KEK të Imerit, i cili ka mbi 15 vjet që ka ushtruar pozita menaxheriale në këtë kompani. Në vitin 2004 ai për herë të parë ishte caktuar në pozitën e Menaxherit të Departamentit të TC Kosova B, në kuadër të Divizionit të Gjenerimit, ndërsa nga Janari i vitit 2012 pas një performance të shkëlqyer ishte caktuar në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv në Divizionin e Termocentralit Kosova B./21Media

Back to top button