Lushaku: Nuk do të ketë kthim të autobusëve të Podujevës te Xhamia e Llapit

Drejtori i Mobilitetit në Komunën e Prishtinës, Donat Lushaku, ka deklaruar se autobusëve të Podujevës nuk do t’iu lejohet rikthimi në ndalesën pranë Xhamisë së Llapit. Ai theksoi se çdo përpjekje për të bllokuar trafikun do të parandalohet nga inspektorët dhe policia.
Mëngjesin e sotëm Shoqata e Transportuesve të Autobusëve të linjës Podujevë-Prishtinë protestuan para Komunës së Prishtinës, duke kundërshtuar vendimin për ndalesën te Xhamia e Llapit.
Në konferencë për media, Lushaku tha se ekziston hapësirë për dialog në dy çështje kryesore: ndalimi i taksive ilegale – një shqetësim i përbashkët mes komunës dhe Shoqatës së Autobusëve si dhe diskutimi për mundësinë që disa linja të kontraktuara nga Komuna e Prishtinës të mos hyjnë në territorin e Podujevës.
“Shoqata e Autobusëve të Podujevës ka vijuar me grevë. Por, tashmë pas njoftimit të policisë dhe njoftimit me shkrim, greva e formës së kaluar nuk do të bëhet në kuptimin e bllokimit të trafikut apo shiritit të caktuar në zonat e caktuara të qytetit. Komuna do të vazhdojë bashkë me inspektoratin e saj dhe Policinë të merr masa ligjore ndaj të njëjtëve. Dhe kësisoj qarkullimi brenda qytetit nuk do të lejohet assesi. Kthimi nga stacioni i ashtuquajtur Xhamia e Llapit jo se jo, dhe jemi duke tentuar që kërkesat tjera t’i plotësojmë. Do të ketë mundësi dialogu për dy pika, që është pjesa e taksive ilegale që është edhe preokupim i yni por edhe kërkesë e Shoqatës të Autobusëve të Podujevës. Dhe pika tjetër është që disa linja që i ka të kontraktuara komuna të mos kalojnë në territorin e Podujevës”, tha Lushaku.
Lushaku tha se nuk mund të lejohet kthimi i autobusëve pranë Xhamisë së Llapit, pasi sipas tij një veprim i tillë do të hapte rrugë për kërkesa të ngjashme nga qytete të tjera, duke përkeqësuar më tej trafikun tashmë të ngarkuar të Prishtinës.
Ai tha se në zonat ku u është caktuar të operojnë këta autobusë ekzistojnë të gjitha shenjat që tregojnë ndalesat, edhe pse fizikisht nuk ka një stacion të ndërtuar.
“Kemi pasur takim të premten me ftesë të policisë. Kemi dhënë propozimet tona. Qëllimi i tyre është që të rikthehen, të hyjnë prapë tek stacioni te Xhamia e Llapit…Nëse ne lejojmë që shoqata e autobusëve të Podujevës, në këtë rast autobusët e atij qytetit të vendosen në qytet brenda, pastaj do të kemi kërkesa edhe nga qytete të tjera, që do ta bllokonte trafikun tashmë të rënduar të qytetit…Shenja të stacionit ka, por stacion fizik jo. Në secilën pikë ku i kemi thënë se duhet të vazhdojnë të operojnë i kanë shenjat e stacionit”, potencoi Lushaku.
Lushaku ka bërë të ditur se situata në terren do të vazhdojë të monitorohet nga Policia në bashkëpunim me Inspektoratin Komunal. Ai ka paralajmëruar se çdo tentim për të bllokuar rrugët apo shiritat e trafikut do të trajtohet menjëherë me masa konkrete, përfshirë edhe largimin e tabelave.
“Policia do të vazhdojë ta monitorojë gjendjen me inspektoratin. Në momentin që do të ketë bllokim të shiritave apo të komunikacionit do të merren tabelat”, u shpreh Lushaku.
Qytetarët dhe shoferët e autobusëve nga Podujeva kanë kundërshtuar vendimin e Komunës së Prishtinës për ndalimin e kthimit të autobusëve në zonën pranë Xhamisë së Llapit.
Masa u ndërmor nga Komuna në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me arsyetimin se disa operatorë të transportit po tentojnë të anashkalojnë Stacionin e Autobusëve të Prishtinës.
Ky vendim ka nxitur reagime nga udhëtarët llapjanë, të cilët e konsiderojnë të padrejtë dhe të rrezikshëm për sigurinë e tyre.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës Transportuese të Autobusëve Prishtinë-Podujevë, Beqir Mustafa tha se janë dënuar me nga 500 euro nga Inspektorati i Komunës.
Ai potencoi se shoferët nuk do të rikthehen në punë deri në realizimin e kërkesave të tyre.