LVV e bindur se e formon Kuvendin dhe Qeverinë më 15 prill

Lëvizja Vetëvendosje synon që më 15 prill të zgjidh kryetarin e Kuvendit dhe të formojë Qeverisë e re në po të njëjtën ditë. LVV-ja ndërkohë iu ka bërë thirrje partive opozitare që të mos bllokojnë krijimin e institucioneve të reja. Ndërkohë, LDK-ja dhe AAK-ja e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim me Glauk Konjufcën, ndërsa, PDK-ja dhe Nisma pritet të vendosin javën e ardhshme.

Të martën e javës së ardhshme, pikërisht në mesditë, ish-kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka ftuar liderët e partive politike për një takim përgatitor për mbarëvajtjen e seancës konstituive e cila është paraparë të mbahet më 15 prill.

Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Mefail Bajqinovci, u ka bërë thirrje partive politike që t’i përgjigjen ftesës së Konjufcës, përndryshe tha ai mosardhja do të shënonte mospërfillje ndaj institucioneve. Duke mos dhënë emra konkret se kush do të jetë kandidati për kryetar të Kuvendit deputeti Bajqinovci i tha televizionit se më 15 prill do të zgjidhet kryetari i Kuvendit nga Vetëvendosje si parti fituese.

“Unë mendoj se ato duhet t’i përgjigjet për shkak se më datën 15 prill presidentja e ka thirr seancën e parë dhe duhet të ketë një marrëveshje sepse dihet me ligj se kryetari i Kuvendit i takon partisë fituese të zgjedhjeve. Mos përgjigja për takim nga partitë opozitare i bie mos përfillje e institucioneve. Unë mendoj se ata do t’i përgjigjen dhe me datën 15 do të krihen trupat e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryetari, nënkryetari dhe të tjerët”, tha Bajqinovci për rtv21.

PDK-ja zyrtarisht nuk e ka konfirmuar nëse do t’i përgjigjet ftesës së Konjufcës për takim. Por, burimet e televizionit 21 brenda kësaj partie thonë se do të marrin pjesë në takimin e 8 prillit. Po ashtu, PDK-ja më 15 prill do ta votojë edhe kandidatin e LVV-së për kryetar të Kuvendit për shkak se, siç thonë, nga ky subjekt politik nuk e bllokojnë konstituimin e Kuvendit.

Ndërkohë, LDK-ja e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin konsultativ me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca.

Por, deputeti i zgjedhur i LDK-së, Ekrem Hyseni, tha se nuk e votojnë kandidatin e LVV-së për kryeparlamentar pa një marrëveshje paraprake politike.

“Absolutish po, kjo ftesë e kryeparlamentarit nuk është ftesë e subjektit të LVV-së por është ftesë institucionale të cilën e rregullon rregullorja e funskionimit të Kuvendit ku thotë se kryeparlamentare fton partitë në takim konsultativ për të caktuar rendin e ditës dhe njëkohësisht rendin e ditës dhe ulëset e deputetëve dhe cështjet e tjera që funksionojnë në mbarvajtjen e e seancës së parë. LDK-ja do të marrë pjesë në takim me kryeparlamentarin Konjufca sepse konstituimi i legjislacionit të ardhshëm bëhet përmes rregullorës dhe ligjeve në fuqi. Ne do të jemi pjesë e seancës së 15 prillit, por normalisht asnjë kandidat të LVV-së nuk do ta përkrahim, por as të ndonjë partie tjetër pa një marrëveshje paraprake politike”, tha Hyseni për rtv21.

Ftesës së Glauk Konjufcës për takim me partitë politike i është përgjigjur pozitivisht edhe AAK-ja. Deputeti i këtij subjekti politik, Bekë Berisha, i tha televizionit 21 se do të jenë prezentë edhe në seancën e 15 prillit.

“Sigurisht e kemi obligim që partitë politike , sigurisht që do të marrë pjesë edhe Aleanca. Janë rregulla kush do që të jetë kandidat, edhe do të jemi prezentë në seancë sepse e kemi obligim ndaj qytetarëve”.

Deputeti LVV-së, Mefail Bajqinovci, nuk e ka përjashtuar mundësinë se pas konstituimit të Kuvendit më 15 prill të formohet edhe Qeveria e re. Tha se do t’i kenë votat e nevojshme për këtë.

“Besoj se i kemi numrat edhe për kryetarin e Kuvendit edhe për Qeverinë e re. Unë besoj se Qeveria e Kosovës do të formohet këtë muaj. Besoj se edhe Qeveria do të zgjidhet më 15 prill, por për këtë ende nuk kemi ndonjë konfirmim, sepse ende nuk jemi mbledhur, por besoj se po do të rregullohen të gjitha trupat edhe të Kuvendit por edhe të Qeverisë. Ne do t’i kemi 61 deputetë për krijimin e Qeverisë së re. Por, ne me Listën Serbe nuk bashkëpunojmë dhe nuk na duhen votat e tyre”, tha ai.

Ditë më parë kryeministri Albin Kurti takoi 11 deputetët e pakicave, por jo të gjithë i kishte bindur që të votojnë për formimin e Qeverisë së re, për shkak të kushteve që kanë shtruar ata.

Politologu, Albinot Maloku, kritikon qasjen e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për formën dhe mënyrën e diskutimeve me përfaqësuesit politik për formimin e Qeverisë së re. Sipas tij, për shkak të qasjes së Kurtit vendi është më afër një krize politike sesa një zgjidhje për formimin e institucioneve të reja.

“Mundësinë e ka pasur privilegjin e ka pasur si subjektet i parë i dal nga zgjedhjet që të mbajë dhe të komunikojë në mënyrë zyrtare me ndonjërin nga subjektet politike shqiptare si pasoj e nevojës së shtetit dhe nevojave të qytetarëve për krijimin e institucioneve”

Presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje subjekteve politike që të krijojnë institucionet e reja pa vonesa për shkak të interesave gjeopolitike të Kosovës./RTV21/21Media

 

Back to top button