LVV në “sulm” ndaj drejtësisë e mediave

Një grup i organizatave të shoqërisë civile i kanë kërkuar kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, që të ndërpresë sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, ndaj mediave dhe organizatave joqeveritare. Reagimi pason deklaratat e anëtarit të LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi, që përdori gjuhë denigruese ndaj gjyqtarëve të PZAP-së dhe Gjykatës Supreme. Krasniqi, akuzoi Supremen dhe PZAP-në, se së bashku me ish-partitë opozitare PDK dhe LDK si ndërmarrje e përbashkët po luftojnë votën e diasporës.

“Ne kërkojmë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti që menjëherë të ndalojë sulmet ndaj sistemit gjyqësor dhe pushteteve tjera, siç janë mediat dhe organizatat e shoqërisë civile, sa herë që nuk pajtohet me to”, thuhet në reagimin e Organizatave joqeveritare.

LVV prej disa vjetësh ka ngritur tensionet me sistemijn e drejtësisë përfshirë këtu edhe sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese, në kohën e bllokadës së Kuvendit të Kosovës. Profesori i së drejtës penale Ismet Salihu për RTV21 thotë se pushtetet janë të ndara dhe ato nuk guxojnë të përzihen mes vete.

“Gjyqsori si pushtet i pavarur nuk guxon të bie në ndikim të politikës apo të masës dhe gjithmonë duhet të marr vendime të ftofta në këtë raport. Sepse nëse sistemi i drejtësisë do të binte në ndikim të politikës atëherë aty nuk do të kishte drejtësi…”, tha Salihu.

Përveç gjykatave, qeverisë Kurti i doli jo pak punë edhe me prokurorinë speciale. Gati gjysma e kabinetit qeveritar Kurti 2 në disa raste ishin të ftuar në këtë prokurori për t’u marr në pyetje. Në mesin e tyre edhe vet Albin Kurti, që ka refuzuar të intervistohet në prokurori në cilësi të dëshmitarit. Thirrjet e prokurorisë për zyrtarët e LVV-së për t’i marrë në pyetje për raste të caktuara,  janë përcjellë me fushatë ndaj sistemit të drejtësisë. Avokati Arbër Jashari thotë se LVV po përdorë standard të dyfishtë në raport me sistemin e drejtësisë

“Çka është më interesante kur të njëjtat gjykata dhe institucionet e tjera shtetërore të pavarura marin vendime në të mirë të shtetit, politika lavdërohet, kur ato marin vendime që nuk u shkojnë përshtati prokuroria, gjykata anatemohen, sulmohen shahen…”, tha Jashari.

Ndryshe një numër zyrtarësh të lidhur me LVV-në, një ambasador dhe së paku 5 ministra të qeverisë Kurti 2 si dhe një zëvendësministër, ishin pjesë e hetimeve të Prokurorisë Speciale. Prokuroria ka ngritur aktakuzë vetëm për tre prej tyre, ministren e tregtisë Rozetë Hajdari, ish-krye shefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe krye-shefin e ndërmarrjes “Ibër Lepenci” Faruk Mujka, që të tre me akuzat për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare./RTV21/21Media

Back to top button