Maas flet me Kurtin: Dialogu me Serbinë është kyç për perspektivën evropiane

 

 

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, me të cilin kanë diskutuar për perspektivën e rajonit në Bashkimin Evropian dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Përmes një postimi në Twitter, Ministria e Jashtme e Gjermanisë njoftoi se ministri Heiko Maas ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Kurti.

“Është prioritet kyç për Gjermaninë që të sigurojë perspektivë brenda Bashkimit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor, i ka thënë ministri i Jashtëm Heiko Maas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në një thirrje telefonike. Dialogu i normalizimit me Serbinë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, mbetet kyç për këtë epilog”, thuhet në njoftim të MPJ-së gjermane.

Në anën tjetër, Kurti e ka quajtur produktive bisedën me Maasin.

“Telefonatë produktive me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas. Theksuam perspektivën evropiane të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet e forta bilaterale. Gjermania është një anëtare vendimtare e Bashkimit Evropiane dhe ne ndajmë të njëjtin vizion për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të përkushtuar për anëtarësim të plotë në BE dhe NATO”, shkruan Kurti në Twitter./21Media

Back to top button