Macron: BE po punon për eksportimin e grurit nga Ukraina përmes Rumanisë
Presidenti francez, Emmanuel Macron tha të enjten se Bashkimi Evropian po punon në një rrugë alternative të eksportit për drithërat ukrainas përmes Rumanisë.
“Odesa është disa dhjetëra kilometra larg Rumanisë”, tha Macron në një intervistë ekskluzive nga Kievi për kanalin televiziv francez TF1.
Ai shtoi se gruri do të eksportohet nga Rumania përmes lumit Danub dhe në sistemin hekurudhor, transmeton rtv21.tv.
Më herët në një konferencë për shtyp nga Kievi, Macron tha se kriza aktuale globale e ushqimit ishte “pasojë e drejtpërdrejtë e luftës së zhvilluar nga Rusia”.
Ai i bëri thirrje Rusisë “të pranojë që Kombet e Bashkuara të organizojnë eksportin e drithërave, gjë që kërkon heqjen e bllokadës ruse në portet e Ukrainës dhe të sigurojë të gjitha garancitë e sigurisë për Ukrainën për të lejuar daljen e këtyre drithërave”./21Media