Macron nuk e pranon kandidaten majtiste për kryeministre

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se nuk është pajtuar për një qeveri të udhëhequr nga aleanca majtiste, Fronti i Ri Popullor (NFP), që ka fituar shumicën e mandateve në zgjedhjet e muajit kaluar për parlamentin e ri francez.
Macroni ka thënë se Francës i duhet stabilitet institucional dhe se e majta nuk do të mund të fitonte shumicën gjatë votimit në parlament.
NFP-ja, që ka caktuar shërbyesen pak të njohur civile, Lucie Castets, si kandidate për kryeministre, ka bërë thirrje që si reagim ndaj presidentit të mbahen protesta në rrugë dhe të kërkohet shkarkimi presidentit.
Macroni – centristët e të cilit dolën të dytët në zgjedhjet e korrikut – ka thënë se do të niste një raund të ri konsultimesh me liderët e partive të martën dhe i ka bërë thirrje të majtës që të bashkëpunojë me forcat tjera politike.
Asnjë grup parlamentar nuk e ka shumicën e domosdoshme për të votuar kandidatin, me NFP-në që ka 190 mandate, pasuar prej aleancës centriste të Macronit me 160 deputetë dhe të djathtës ekstreme të Tubimit Kombëtar me 140 përfaqësues në parlament.
Franca po qeveriset prej një qeverie teknike, e cila menaxhoi edhe Lojërat Olimpike në Paris, duke zemëruar edhe me shumë NFP-në. Macroni ka mbajtur negociata për krijimin e qeverisë së re prej kohës së zgjedhjeve dhe ka thënë se do të vazhdojë me këtë avaz.
“Përgjegjësia ime që vendi të mos bllokohet ose të dobësohet”, ka thënë Macroni të hënën në një komunikatë të presidencës.“Partia Socialiste, të Gjelbrit dhe Komunistët ende nuk kanë propozuar shtegdalje për të bashkëpunuar me forcat tjera politike. Tani është në dorën e tyre që ta bëjnë këtë punë”, ka shtuar ai.
Por ai nuk ka përmendur elementet kryesore që përbëjnë NFP-në, lëvizjen e së majtës ekstreme të lëvizjes Franca e Papërkulur(LFI). Kjo lëvizje ka reaguar ashpër ndaj fjalëve të presidentit, me koordinatorin kombëtar, Manuel Bompard, që e ka përshkruar qëndrimin e presidentit si “një puç të papranueshëm antidemokratik”.
Centristët e Macronit dhe Tubimi Kombëtar i Marine Le Penit kanë bërë të ditur se do të votonin kundër propozimin të Frontit për Castetsin kryeministre. Pas takimit me Macronin të hënën, liderët e Tubimit, Le Pen dhe Jordan Bardella e kanë përshkruar NFP-në si “rrezik” për Francën.