Majko për Bukoshin: Tejkaloi veten, Kosova humbi protagonistin e historisë së saj

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka thënë se ish kryeministri i Kosovës Bujar Bukoshi i cili u nda nga jeta sot ka qenë një njeri që tejkaloi veten!
“Vdekja për cilindo është ajo që ndodh në fund! Për Bujarin, është stacioni i fundit për të kuptuar si bëhet njeriu ai që është!Bujar Bukoshi ishte një zgjedhje e mençur e Ibrahim Rugovës në rrugën e vështirë që Kosova kishte përpara! Edhe për këtë arsye Bujari u bë kryeministri Bukoshi i cili pati një jetë të paprecedentë për të parë të gjitha të vërtetat që një individ mund të duroj!Bujar Bukoshi ishte kryeministër i një shteti që nuk ekzistonte duke qenë një “lajmës” i çuditshëm për atë që po vinte për Kosovën!E shkuara është peshë! Nuk mund të “notosh” po nuk e mbajte mbi shpinë!”, ka shkruar Majko.
Më tej ai ka thënë se Kosova sot ka humbur një protagonist të historisë së saj
”Në kohët kur duket se na përkufizojnë gënjeshtrat dhe sekretet, Bujar Bukoshi është ndër të vërtetat që ka prodhuar historia e Kosovës!Kopja tingëllon si një melodi e kënduar nga një fëmijë, e kompozuar nga dikush tjetër! Sot, Kosova ka humbur një politikan të dorës së parë i cili nuk imitoi askënd!
Për Bujar Bukoshin, meritat vlejnë më shume se dobësitë e tij! Ai kishte bërë paqe me veten dhe të kaluarën!”, ka shkruar Majko në Facebook./21Media