Malaj: Fatos Nano nga politikanët më të rëndësishëm të periudhës së tranzicionit

Sot dhe nesër në Ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë do të jetë i hapur “Libri i ngushëllimeve” për ish-kryeministrin Fatos Nano, i cili vdiq më 31 tetor në moshën 73 vjeçare.
Ish-kryeministër i Shqipërisë u varros dje në Tiranë, në një ceremoni private në varrezat e kryeqytetit shqiptar, ndërsa para se të varrosej u nderua të dielën me një ceremoni shtetërore.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj tha se Nano përbente një prej politikanëve më të rëndësishëm shqiptar në periudhën e e tranzicionit politik në Shqipëri.
“Fatos Nano unë mendoj se përbënte dhe është një prej politikanëve më të rëndësishëm shqiptar të periudhës së tranzicionit politik në Shqipëri, një figurë e rëndësishme dhe me zë një figurë që transmetonte ide e moderoi të majtën shqiptare në Shqipëri dhe për këtë ka lënë një gjurmë që besoj të gjithë shqiptarër e kanë vërejtur”, tha Malaj.
Si bashkëpunëtor i tij, Malaj deklaroi se me vdekjen e ish-kryeministrit shqiptar, Fatos Nano politika shqiptare ka humbur një politikan të zotin.
“Mendoj se politika shqiptare ka humbur një politikan të zotinë, një politikan liberal në frymë i cili në momente të caktuara ka ditur të veproj dhe ka ditur të marr vendime të rëndësishme”, theksoi ai.
Libri i ngushëllimeve sot të jetë i hapur sot nga ora 10:00-12:00 dhe nga ora 14:00-16:00. Në orare të njëjta sikurse sot libri i ngushëllime për Nanon në Prishtinë do të jetë i hapur edhe nesër.
Ish-kreu i Partisë Socialiste, Fatos Nano vdiq më 31 tetor në një spital në Tiranë pas disa ditësh në koma.
Të dielën, qytetarë dhe personalitete të larta shtetërore e diplomatike brenda e jashtë Shqipërisë kanë bërë homazhe pranë arkivolit të tij në Pallatin e Kongreseve.
Shqipëria i jep lamtumirën me nderime dhe ceremoni shtetërore Fatos Nano
Në ceremoninë e lamtumirës së fundit të ish-kryeministrit shqiptar, Fatos Nano morën pjesë edhe politikanë nga Kosova, përfshirë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Kurti bën homazhe për Fatos Nanon, me të edhe Albulena Haxhiu
Në nderim të Nanos, Qeveria shqiptare 2 nëntorin e e shpalli ditë zi kombëtare.
Fatos Nano lindi në 16 shtator 1952 në Tiranë, ai u diplomua për ekonomi politike në vitin 1974 në kryeqytet dhe kulmin e karrierës së tij përpara se të rrëzohej regjimi komunist e pati 10 vjet më vonë kur u emërua si studiues i problemeve socio-ekonomike dhe reformave të ekonomive të tregut të vendeve të Bllokut Lindor në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë, nën varësinë e ish-gruas së diktatorit, Nexhimije Hoxha.
Pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991, Nano u mandatua kryeministër, detyrë të cilën e mbajti për disa javë, kur dha dorëheqjen për shkak të grevave që kishin nisur në gjithë vendin.
Ardhja e demokratëve në pushtet në vitin 1992, solli një periudhë të vështirë për Fatos Nanon.
U rikthye edhe njëherë tjetër kryeministër në 31 korrik 2002 deri në humbjen e zgjedhjeve në qershor 2005, kur u detyrua t’i linte pushtetin kundërshtarit të tij që e kishte burgosur, Sali Berisha.
Prej atij viti ditët i jetonte mes Vjenës ku qëndronte me familjen dhe Tiranës ku vinte sa herë diskutohej se kush do të ishte Presidenti i ri i vendit.
Dëshira e tij për t’u bërë kreu i shtetit nuk iu plotësua as në vitin 2007 kur vendin ia mori Bamir Topi dhe as në vitin 2012 kur Berisha megjithëse e afroi, në fund zgjodhi të ndjerin Bujar Nishani.
Fatos Nano ishte i vetmi nga politikanët e transicionit që ka dhënë dorëheqjen nga politika për të mos u kthyer më, pas humbjes së zgjedhjeve në 2005. /kp