Maloku për librin e tij: Mund të ketë pasur ekzagjerime të vogla

(Lajm i përditësuar)


Maloku për librin e tij: Mund të ketë pasur ekzagjerime të vogla

Dëshmitari Naim Maloku u pyet në Hagë lidhur me një libër të tij, për të cilin tha se ka mundur që të ketë disa ekzagjerime të vogla për UÇK-në.

“Mund të ketë pasur ndonjë ekzagjerim të vogël. Në përgjithësi libri pasqyron të kaluarën time”, tha Maloku.

Dëshmitari u pyet se çka ka ekzagjeruar në librin e tij lidhur me veprimtarinë dhe funksionin e UÇK-së.

“Ndoshta e kam paraqitë strukturën organizative dhe zinxhirin komandues si strikte. Më lejoni t’ua sqaroj se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka qenë ushtri e rregullt vullnetare. Nuk ka qenë e mobilizume në bazë të ligjeve, Qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes, por është organizu në baza vullnetare”, tha ai.

Ai tha se çdo njësi vullnetare ka përgjegjësi dhe obligime që dallojnë nga njësitë e tjera që mobilizohen sipas ligjit.

Dëshmitari u pyet edhe për rolin e Ilir Konushevcit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Njeri kyç i logjistikës për UÇK-në në Shqipëri. Ishte këmbëngulës që sa më shumë oficerë dhe sa më shumë ushtarakë të futen në Kosovë në radhët e UÇK-së. E di që ka bërë përpjekje maksimale që shumë kolegë të mi që ishin me përvojë në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë që të kyçemi”, tha dëshmitari, duke shtuar se përpjekje si Ilir Konushevci kishte bërë edhe Qerim Kelmendi.

Dëshmitari Maloku tha se ka pasur rezerva për kyçjen e tyre në UÇK. Tha se në fillim të veprimtarisë së tij është marrë me trajnimin e vullnetarëve që kanë ardhur nga jashtë në dy kampe që kanë ngritur në malin e Dajtit në afërsi të Tiranës.

Ai tha se më pas kanë shkuar edhe në bazat e logjistikës në Kukës dhe në Bajram Curr për të ngritë strukturën organizative të bazave që armët që grumbulloheshin të dekonzervohen dhe të kontrollohen teknikisht.

Si rrjedhojë, Maloku tha se kjo ishte për shkak se në rast kur ushtarët të merrnin armën që të shkojnë në Kosovë, arma të jetë funksionale për shkak se ka pasur disa raste që kur kanë dalë ushtarët në pritë nuk iu kanë funksionuar armët.

Ai gjithashtu tha se në ’98-ën kanë sugjeruar që të mos vendosin mina kundër këbësorisë.

“E vetmja ushtri që gjatë kohës sa ka vepru dhe funksionu nuk ka qenë e trajnume dhe nuk ka pas në përdorim mina anti-këmbësori. Toka jonë ka qenë, shteti jonë ka qenë se ato mina kanë mujt me met aty të fshehura me dekada më vonë me dëmtu fëmijë, civil, kafshë dhe këtë ia kemi komuniku Ilir Konushevcit. Jo urdhër, se na nuk kemi pas mundësi me i dhënë urdhër Ilri Konushevcit, por i kemi këshillu dhe i kemi thënë që kurrë mos t’iu japë ushtarëve dhe të mos mësohen ushtarët për përdorimin dhe minimin dhe krijimin e fushave të minave anti-këmbësori në territorin e Kosovës”, tha ai. /BetimipërDrejtësi


Fillon dëshminë Naim Maloku në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 124-të i Prokurorisë, Naim Maloku në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar prokurori James Pace, i cili tha se dëshmitari do të flasë lidhur me rolin që ka pasur ai në UÇK.

“Dëshmitari W04403 është shqiptar i Kosovës që ka pasur role të ndryshme në UÇK në vendndodhje të ndryshme duke përfshirë edhe Dukagjinin. Dëshmitari W04403 ka qenë anëtar i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. W04403 do të japë dëshmi lidhur me rolin dhe përgjegjësitë që ka pasur ai në UÇK, takimet që ka marrë ai në ’98-ën dhe ’99-ën, strukturën dhe organizimin e njësiteve të UÇK-së dhe kontaktin që ka pasur me anëtarët e UÇK-së”, tha Pace.

Ndryshe, sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth dy ditë. Nga kjo kohë, ZPS-ja ka parashtruar se i duhen katër orë ndërsa ekipet e mbrojtjes të gjitha së bashku kanë parashtruar se iu duhen rreth dhjetë orë për kundërpyetje.

Në prova materiale, u pranuan të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse pasi që nuk pati kundërshtime nga ana e mbrojtjes.

Ndryshe, ZPS-ja njoftoi se këtë javë pritet të vijë edhe një dëshmitar tjetër, e po ashtu për të martën e javës së ardhshme është planifikuar një dëshmitar. /BetimipërDrejtësi

 

Back to top button