Manastiri i Deçanit, ndërkombëtarët thirrje Qeverisë që t’i lë anash mosmarrëveshjet politike

Shefat e Misionit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara kanë thënë se mbeten të shqetësuar se pavarësisht kërkesave të përsëritura nga bashkësia ndërkombëtare dhe gjyqësori i saj, institucionet kosovare ende nuk e kanë zbatuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të vitit 2016, për të drejtat e pronësisë së Manastirit të Deçanit.
Moszbatimi i këtij vendimi të gjykatës dhe të tjerëve, sipas tyre, dëmton angazhimin e Qeverisë për zbatimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e tij për një gjyqësor të pavarur.
“Zbatimi i këtyre vendimeve janë përgjegjësi themelore demokratike të nevojshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e ardhshëm euroatlantik. Edhe një herë, inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që t’i lërë anash mosmarrëveshjet politike, t’i përqafojë përgjegjësitë demokratike dhe t’i zbatojë plotësisht të gjitha vendimet e Gjykatës”, kanë thënë përfaqësuesit e këtyre vendeve perëndimore.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka njoftuar Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi për moszbatimin e vendimit të saj në lidhje me tokën e Manastirit të Deçanit.
Në letrën dërguar kryeprokurorit thuhet se “Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë për vlerësimin e përgjegjësisë për moszbatimin e aktgjykimeve nga autoritetet përgjegjëse”.
“I takon Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë veprimet e mëtejme sipas autorizimeve ligjore, bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.
Pesë vjet më parë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë./21Media

Back to top button