MAPL-ja i shpall të pavlefshme vendimet e LDK-së dhe PDK-së për ndërmarrjet publike në Prishtinë

Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Prishtinës Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike, kanë siguruar votat e mjaftueshme për ta shkarkuar Kryesuesin e Kuvendit Komunal, Fehmi Kupinën si dhe për të rikthyer anëtarët e vet në bordet e ndërmarrjeve publike. Mirëpo këto vendime u shpallën të pavlefshme nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Sipas MAPL në një vlerësim të ligjshmërisë, mbledhja e V-të e kryeqytetit “ka përfunduar në atë moment kur Kryesuesi i Kuvendit e ka shpallur të mbyllur mbledhjen për shkak të rrethanave të krijuara në pamundësi për të vazhduar, andaj vazhdimi i mbledhjes dhe vendimet e miratuara në atë mbledhje nuk krijojnë asnjë efekt juridik”.
Për këtë vendim të mërkurën në llogarinë e tij në Facebook, ka njoftuar asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, i cili ka thënë se është momenti i fundit që të publikohen vendimet e seancës së jashtëzakonshme të datës 8 qershor, të miratuara nga opozita. “Anulohet seanca klandestine e partive në pushtet në Prishtinë.

Aksionarët e ndërmarrjeve publike komunale mbetën ata që kanë qenë, të opozitës; Kryesuesi mbetët ai që ka qenë nga fillimi i mandatit; Të gjitha vendimet tjera që janë marrë në atë “seancë” janë të pavlefshme. Është momenti i fundit të publikohen vendimet e seancës së jashtëzakonshme të datës 8 qershor. Mjaft e shkelët ligjin”, ka shkruar ai./21Media

Back to top button