Maqedonci: Në takimin e Këshillit të Sigurisë së Serbisë morën pjesë komandantët që trajnuan terroristët e Banjskës

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se në takimin e Këshillit të Sigurisë së Serbisë, që ishte thirrur me urgjencë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, mori pjesë edhe komandanti i Brigadës 63 të Parashutistëve, Nenad Zoniq dhe komandanti i Brigadës 72 të Operacioneve Speciale, Miroslav Talijan, dy brigada që Maqedonci thotë se realizuan përgatitjen dhe trajnimin e atyre që realizuan sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator.

Në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka përdorur si pretekst të thirrjes së kësaj mbledhje, sulmin terrorist në Moskë, por ajo çfarë është shqetësuese në përbërjen e këtij Këshilli, është prezenca e Komandantit të Brigadës 63 të Parashutistëve dhe Brigadës 72 të Operacioneve Speciale, formacione ushtarake këto që dyshohet që kanë realizuar përgatitjen dhe trajnimin e qindra anëtarëve të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile/Brigada e Veriut”, e të cilët më pas morën pjesë në sulmin terrorist të 24 shtatorit, në fshatin Banjskë të Zveçanit”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.

Maqedonci ka thënë se takimi i Këshillit të Sigurisë së Serbisë ishte thirrur nga Vuçiqi vetëm dy ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte denoncuar publikisht provokimet e njësive të specializuara të FAS në afërsi të kufirit me Kosovën dhe një ditë pasi ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ia bëri të qartë Serbisë se po monitorohet lëviza e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën.

“Në takimin e fundit të Këshillit të Sigurisë së Serbisë, i cili është thirrur me urgjencë nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, përveç anëtarëve të përhershëm, kanë marrë pjesë edhe Nenad Zonic, Komandant i Brigadës 63 të Parashutistëve; Miroslav Talijan, Komandant i Brigadës 72 të Operacioneve Speciale; Tioslav Jankovic, Shef i Drejtorisë së Operacioneve (J-3); Dusko Zarkovic Komandant i Forcave Ajrore; dhe Milosav Simovic, Komandant i Forcave Tokësore të Forcave të Armatosura të Serbisë (FAS). Ky takim është thirrur me urgjencë nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, vetëm dy ditë pasi kryeministri i Republikës së Kosovës kishte denoncuar publikisht provokimet e njësive të specializuara të FAS në afërsi të kufirit me Kosovën dhe një ditë pasi ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka bërë të qartë Serbisë se janë duke monitoruar lëvizjet e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën dhe se përdorimi i forcës do të ishte i pa pranueshëm”, ka shkruar Maqedonci.

Back to top button