Maqedoni: 1 vjet nga zyrtarizimi i gjuhës shqipe, nuk gjen zbatim në institucione

Ende nuk është formuar ekipi që do të inspektojë shkeljen e ligjit

U bë një vit prej kur Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi hapi seancën në gjuhën shqipe. Ligji për përdorimin e gjuhëve u fuqizua duke u shpall në Gazetën Zyrtare.

Një pjesë e institucioneve po e respektojnë ligjin dhe kanë vendosur tabelat edhe në gjuhën shqipe, por një pjesë e tyre nuk e zbatojnë atë. Një pjesë e formularëve nëpër institucione janë vetëm në gjuhën maqedonase, por edhe tabelat njëashtu, raporton TV21.

Për ta vënë në zbatim ligjin janë formuar dy institucione, Agjencia për zbatim të Ligjit dhe Inspektorati për gjuhën shqipe.

Drejtori i Inspektoratit Fatmir Hyseni, i cili u zgjodh para gjysmë muaji tha se ende po e kompletojnë ekipin i cili duhet ta shohë a po respektohet gjuha shqipe nëpër institucionet.

E nga ana tjetër u bë një vit, por ende nuk është formuar ekipi që do të inspektojë shkeljen e ligjit.

Këtë së fundmi e ka bërë zëvendëskryeministri Bujar Osmani, i cili para disa muajve doli me veturë duke kërkuar llogari se përse tabela e Agjencisë për administratë është vetëm në gjuhën maqedonase.

Drejtori i Inspektoratit Hyseni tha se nuk dihet se sa do te jetë numri i inspektorëve që do jenë në terren, por tha se do të ketë në dispozicion 10 milionë e 20 mijë denarë para të ndara nga Buxheti i shtetit.

“Numri i të punësuarve do të varet nga buxheti i cili është paraparë. Për momentin kemi një buxhet të vogël. Buxhetin e kemi 10 milionë e 200 mijë denarë ose 180 mijë euro. Do ta bëjmë maksimumin t’i bëjmë punësimet e para, e pastaj Inspektorati do të jetë ai i cili do të dalë në terren dhe do të bëjë mbikëqyrje. Kompetenca e inspektoratit do të jetë mbikëqyrje inspektuese e të gjitha institucioneve në bazë amendamentit 5 të Kushtetutës së RMV-së”, theksoi Fatmir Hyseni, drejtor i Inspektoratit të Gjuhëve.

Drejtori i Agjencisë për përdorimin e gjuhëve Ylber Sela, tha se ka institucione që kanë refuzuar ndihmën e agjencisë, ndërsa një pjesë e tyre kanë kërkuar që të gjitha formularët të përkthehen në dy gjuhë.

“Do t’i lekturojmë të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore dhe të gjitha shpalljet të cilat shkojnë në Gazetën Zyrtare. Që nga nesër fillon edhe afati, ne i presim dhe jemi të përgatitur. Të gjitha sendet juridike për të cilat kanë dilemë, se a duhet të zbatohet, ata vetëm duhet të dërgojnë një e-mail tek ne ose personalisht dhe ne ua sqarojmë çdo gjë”, tha Ylber Sela nga Agjencia për Zbatimin e Ligjit.

Ndryshe, para një muaji Komisioni i Venecias, kërkoi që Ligji për gjuhët të rishikohet dhe të shqyrtohet dygjuhësia në procedurat gjyqësore. Qeveria ende nuk ka sjellë vendim për përdorimin e gjuhës shqipe në monedhat, si dhe në uniformat e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pasi që grupi i punës i cili duhet të veprojë ndaj rekomandimeve të Komisionit të Venecias, ende nuk e ka caktuar planin e veprimit./21Media

Back to top button