Maqedonia e Veriut solidarizohet me popullin ukrainas

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut sonte është ndriçuar me ngjyrat e flamurit ukrainas në shenjë solidariteti me Ukrainën dhe popullin e saj.
Ministri Bujar Osmani tha se 24 shkurti është ditë e trishtë jo vetëm për Ukrainën, por për tërë Evropën.
“24 shkurti është një ditë e trishtë për Ukrainën dhe një ditë e zezë për Evropën. Me sulmin ndaj Ukrainës, Kremlini ka shkelur edhe një herë rëndë të drejtën ndërkombëtare, me çka ka sjellë vuajtje dhe ka dëmtuar fqinjët e saj të afërt, si dhe ka shkelur sovranitetin dhe kufijtë e Ukrainës. Njëherazi, veprimet e këtilla kanë vënë në pikëpyetje rendin e paqes në kontinentin tonë. Andaj është e pajustifikueshme. Lufta dhe zjarri nuk janë shaka, ndërsa përdorimi i forcës dhe detyrimit nuk ka vend në shekullin e 21-të”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ai ka publikuar disa fotografi, Ministria e Punëve të Jashtme e ndriçuar me ngjyrat e flamurit ukrainas.
Me anë të kësaj, Osmani ka thënë se duam t’i përçojmë një mesazh se solidarizohemi me popullin ukrainas.
“Sonte e ndriçuam Ministrinë e Punëve të Jashtme me ngjyrat e flamurit ukrainas, me të cilin duam të dërgojmë një mesazh të fortë mbështetjeje dhe solidariteti me Ukrainën dhe popullin mik ukrainas, në këto momente të vështira. Popujt tanë janë të njohura për shtrirjen e dorës ndaj atyre që kanë nevojë, diçka që është shkruar edhe në histori. Ne do të bëjmë përpjekje që vuajtjet e juaja të ndalojnë. Me këtë rast, ne edhe një herë e rikonfirmojmë mbështetjen tonë të qartë për sovranitetin, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve të Ukrainës, si anëtare e NATO-s dhe veprues përgjegjës në komunitetin ndërkombëtar, bëjmë thirrje për ndërprerje të menjëhershme të veprimeve ushtarake në Ukrainë si dhe kthimin e paqes”, shtoi Osmani tutje./21Media

Back to top button