Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, “Vizitat e qeveritarëve shqiptarë, hap pozitiv”

Vizitat e fundit të pushtetarëve të Shqipërisë në Kosovë kanë vënë në fokus diskutimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, nëse të njëjtat qëndrojnë të mira apo vazhdojnë të jenë të ftohura.

Ish-diplomati, Sylë Ukshini, vlerëson se udhëheqësit Qeveritarë të Kosovës dhe të Shqipërisë deri më tani kanë pasur jo pak përplasje për gabimet e të dyja palëve. Por sipas tij me vizitat e fundit raportet mes dy vendeve po nisin të përmirësohen.

“Gabimi ka qenë tek të dyja palët.. Ndonjëherë ka pasur përplasje mes kryeministrave duke e dëmtuar edhe Kosovën edhe Shqipërinë, më shumë Kosovën…Tani është një frymë pozitive për raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë.”, tha Ukshini.

Analisti politik në Shqipëri, Ben Andoni ndërkaq thotë se marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri aktualisht janë në nivel jo të duhur. Megjithatë vizitat e Ramës dhe Spiropalit në Kosovë, ai i sheh si hapa pozitiv drejt përmirësimit.

“Në momentin që po flasim marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë në nivel  jo të mire sepse ka mbi 140 marrëveshje që s’janë  vitalizuar … a tashmë i takon z. Rama dhe Kurti të bëjmë hapat e mëtejshëm të marrëdhënieve por duket se deri në sjelljen e presidentit të ri në Kosovë të dyja vendet s’besoj se do kenë hapa të tjerë drejt afrimit të tyre. Megjithatë vizita e Spiropalit dhe e Ramës  tregon se Tirana po bënë hapin e parë të lehtësimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Andoni për RTV21.

Në kuadër të bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve, Kosova dhe Shqipëria deri më tani kanë mbajtur tetë mbledhje të përbashkëta  në të cilat kanë nënshkruar mbi 140 marrëveshje.  Mbledhja nëntë ishte paraparë të mbahej më 2023 por e qeveria Rama kishte anuluar pjesëmarrjen./RTV21/21Media

Back to top button