Marrëdhëniet me SHBA në pikën më të ulët, PDK e LDK kritikojnë Albin Kurtin

Kërkesa për angazhim më të madh në Ballkanin Perëndimor të administratës së presidentit Donald Trump nga Komiteti për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara po mirëpritet në Kosovë.
Megjithatë, zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se ka sjellë në pikën më të ulët raportet me SHBA.
Një ditë pasi burokratët amerikanë thanë se Kurtin e shohin si pengues, dy partitë e ish-opozitës thonë se “Kurti me vetëdije apo pa vetëdije po dëmton raportet me SHBA-në”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk u përgjigj gjatë ditës në lidhje me këtë, derisa të heshtur për KosovaPress ishin edhe zyrtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.
SHBA të mërkurën kritikoi LVV-në pas mos certifikimit të Listës Serbe në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Tre njohësit amerikanë të Ballkanit Perëndimor, Max Primorac, bashkëpunëtor në Qendrën hulumtuese “Margaret Thatcher”, Luke Coffey, bashkëpunëtor në Qendrën për Evropë dhe EuroAzi në “Institutin Hudson” dhe ligjëruesi Edward P. Joseph nga “Universiteti Johns Hopkins”, thanë të martën në Komitetin për Punë të Jashtme se e shohin Kurtin si pengues, kur u pyetën nga kryesuesi i Komitetit, Keith Self.
Diskutimi për Kosovën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, sipas ish-deputetit të PDK-së, Artan Behrami, është i mirëpritur. Sipas tij, kryesuesi i Komitetit, Keith Self, është një mik i madh i Kosovës dhe avokues i madh i anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Ai theksoi edhe rolin që diplomati amerikan mund të shtyjë në respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Megjithatë, Behrami thotë për KosovaPress se SHBA-ja për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë nuk po e sheh penguese Serbinë por Kosovën.
Behrami: Kurti e Osmani i kanë sjellë në pikën më të ulët marrëdhëniet me SHBA-në
Video:
“Kongresisti Self është një mik shumë i madh i Republikës së Kosovës dhe një ndër lobuesit më të mëdhenj të anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe integrimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar. Tash e disa herë, ai po mban diskutime në Kongres, kësaj radhe me disa tema, njëra që ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në NATO, marrëdhëniet me SHBA, për shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe temat tjera të Ballkanit… Ajo çka u vërejt në këtë komunikim të Kongresit me diplomatët dhe përfaqësues të tjerë të SHBA-së ishte që, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, problemi kryesor ka qenë gjithmonë Serbia. Për herë të parë SHBA-ja nuk e sheh Serbinë si pengesë por Kosovën. Tash e pesë vjet, kryeministri në detyrë Albin Kurti bashkë me presidenten Vjosa Osmani, në baza ditore kanë punuar që ne të vijmë në pikën më të ulët të marrëdhënieve tona me SHBA-në”, thotë ai.
Kritike karshi Kurtit është edhe ish-deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, e cila thotë se i njëjti “me vetëdije apo pa vetëdije” po dëmton raportet e Kosovës me SHBA-në. Ajo thekson për KosovaPress se është shqetësuese deklarimi se Kurti është pengesë.
Lushaku: Kurti me vetëdije apo pa vetëdije po dëmton raportet e Kosovës me SHBA-në
Video:
“Unë i kam pa me shumë shqetësim, por kjo nuk ishte vetëm një mbledhje e rastësishme në Kongresin amerikan. Nuk ishte vetëm një mbledhje dëgjimore, por faktikisht ishte një mbledhje ku është diskutuar edhe për situatën politike, në të cilën edhe sot dhe rishtazi ka pasur deklarata të zyrtarëve amerikanë për shqetësimin që kanë nga qeveria dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Mendoj, se sistematikisht Qeveria e Kosovës, me vetëdije apo pa vetëdije, i ka dëmtuar raportet tona që i ka ndërtuar shteti i Kosovës përgjatë viteve të kaluara. Kjo do ta dëmtojë Kosovën edhe në të ardhmen. Relacionet dhe politika e jashtme nuk krijohen brenda natës. Aleatët nuk krijohen brenda natës, andaj e kam parë me shumë shqetësim”, potencon Lushaku.
Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë për KosovaPress se diskutimet në Komitetin për Punë të Jashtme të SHBA-së dëshmuan interesimin dhe involvimin e fuqishëm të saj në Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, deklarimet për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, janë dëshmi se të njëjtit tërthorazi po i bëhet me dije të ketë kujdes në raport me SHBA-në.
Arifi: Kurtit tërthorazi i është bërë me dije të ketë kujdes në raport me SHBA-në
Video:
“Në Ballkan ka një involvim të fuqishëm të SHBA-së. Shikoni çka ndodhi në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku Dodiku u largua nga politika duke pranuar kushtet e SHBA-së pasi u sanksionua. Shikoni se çka po ndodh në Serbi, e njëjta gjë. Vuçiq është i sanksionuar dhe Serbia, ku kompania më e fuqishme në Serbi është e sanksionuar. Normalisht edhe zoti Kurti jo drejtpërdrejt, por tërthorazi është kritikuar që të ketë kujdes në raport me SHBA. Ne po flasim për politikën e jashtme të SHBA-së, të cilën Kosova nuk e ka kuptuar dhe s’ka arritur ta zbërthejë. Ne nuk mund ta ndryshojmë politikën e jashtme të SHBA-së, por mund t’i përshtatemi”, potencon Arifi.
Në diskutimet e Komitetit për Punë të Jashtme të SHBA-së, mes tjerash, është theksuar nevoja që për raportin Kosovë–Serbi të ketë më shumë balancim dhe të mos kërkohet përgjegjësi vetëm nga Kosova.
Kryetari republikan i Nën-komisionit për Evropën, Keith Self, tha se marrëdhënia e pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë është një nga shtytësit kryesorë të paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor.
Diplomati amerikan ka potencuar se kriza politike në Kosovë po e përkeqëson situatën, derisa theksoi se shpreson që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit të formohet qeveria e re dhe Serbia ta njohë sovranitetin e Kosovës.