Marrëveshjet Kosovë-Shqipëri, “skepticizëm” për zbatimin e tyre

Rukiqi thotë se praktika e kaluar e moszbatimit të marrëveshjeve i ka bërë të gjithë më skeptik

Qyteti i Pejës u bë nikoqiri i pestë i takimeve ndërmjet dy qeverive shqiptare, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë. Pas Prizrenit, Tiranës, Prishtinës dhe Korçës shumë marrëveshje u nënshkruan edhe në kryeqendrën e Dukagjinit.

Mirëpo, përveç trumbetimit mediatik dhe nënshkrimeve formalisht në letër, rezultatet konkrete të këtyre marrëveshjeve, memorandumeve, dhe protokolleve po shihen si vështirë të arritshme, duke u bazuar në moszbatimin e marrëveshjeve paraprake.

Entuziazmin e madh të dy kryeministrave Ramush Haradinajt dhe Edi Ramës gjatë nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, shpreson ta shohë edhe në implementimin e tyre në praktikë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Rukiqi, thotë se praktika e kaluar e moszbatimit të marrëveshjeve i ka bërë të gjithë më skeptik se do të ketë lëvizje konkrete në realizim të tyre. Ndërsa, thekson se ajo çka duhet të jetë kryesore ndërmjet dy Qeverive është që të ketë vullnet për zbatimin e marrëveshjeve.

“Praktika e kaluar e moszbatimit të marrëveshjeve bizneset dhe të tjerët i ka bërë më skeptik sa i përket realizimit të këtyre marrëveshjeve në praktikë. Pra, në lehtësimin, këtë rast të tregtisë, investimin në mes dy vendeve. Kur nuk zbatohet një marrëveshje është vetëm mungesë e vullnetit. Dy vendet realisht, Kosova dhe Shqipëria nuk janë fort të lavdërueshme sa i përket zbatimit të ligjeve. Ne nuk ka nevojë që për disa çështje me ba fare marrëveshje, eliminimi i barrierave është gati i nënkuptueshëm.Ajo që duhet të kthehet në këtë aspekt është vullneti në të dyja anët për zbatimin e marrëveshjeve”, thotë Rukiqi për kp.

Nënkryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadergjonaj është shprehur se dy Qeveritë duhet të marrin me shumë seriozitet këto marrëveshje, në mënyrë që të mos mbesin të pazbatueshme, pasi siç thotë ajo problem po qëndron tek dy Qeveritë.

Sipas, saj para nënshkrimeve të reja është dashur që të bëhet një analizë më e mirëfilltë, se pse nuk po zbatohen marrëveshjet paraprake.

Deputetja, Hadergjonaj, konsideron se këto mbledhje ndonjëherë duhet të bëhen edhe për show medial.

“Këto marrëveshje janë shumë të rëndësishme dhe unë dua që të dy qeveritë të marrin këtë çështje me shumë seriozitet, të mos mbesin marrëveshje të shkruara në letër dhe të pa zbatueshme. Unë do të kisha dashtë që para se të mbahet kjo mbledhje e qeverive të bëhet një analizë e marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjet e mëparshme të dy qeverive dhe të vij në përfundim se pse disa marrëveshje nuk janë zbatuar deri më tani, të bëhet një analizë nga të dy palët… problem po qëndron tek dy qeveritë edhe tek qeveria e Republikës së Kosovës edhe tek Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Secila marrëveshje e cila nënshkruhet e obligon ministrinë përkatëse për ta zbatuar marrëveshjen e tij… unë nuk do të doja që të jenë për show medial, ndonjëherë na duhet dhe ky show medial”, thotë Hadergjonaj.

Nga ana tjetër, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se përkundër disa ngecjeve që kanë pasur në mos implementimin e marrëveshjeve paraprake, vitin e ardhshëm priten të zgjidhen këto.

Sipas Minxhozit, vitin tjetër do të ketë më shumë arritje konkrete. Sepse siç thotë ai, mbledhja e fundit pritët të jetë ajo që do të prodhojë më shumë rezultate.

“Viti që vjen duhet të jetë vit i një kthese të madhe, unë them që ky vit në pikëpamje të bashkëpunimit Shqipëri- Kosovë ka qenë më i suksesshmi. Kemi pasur rreth 200 milionë euro shkëmbime, është një rritje në krahasim me vitet e kaluara. Por, ne mendojmë që të ecim më përpara. Jam besimplotë që vitin që vjen do të kemi më tepër arritje…kjo do të jetë mbledhja më rezultative e gjithë Qeverive”, tha Minxhozi.

Përndryshe, pak ditë para Ditës së Flamurit janë nënshkruar edhe tetë marrëveshje të reja, ku sipas dy shteteve do të fuqizojnë bashkëpunimin mes tyre.

Back to top button