Marshi “Çohu për të Drejtat e Njeriut”

Shënohet  Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut

Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me organizatat joqeveritare dhe shoqërinë civile të Kosovës kanë ndërmarrë iniciativën e përbashkët për shënimin e 10 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Aktiviteti “Çohu për të Drejtat e Njeriut”, ka për qëllim dërgimin e një mesazhi të fuqishëm për angazhimin e shtuar, gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional për promovimin dhe edukimin mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Aktiviteti do të mbahet të hënën, me fillim prej orës 10:30, në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, ku do të diskutohet për të drejtat e fëmijëve, të drejtat e të rinjve, për të drejtat e gruas, të drejtat e të moshuarve, të drejtat e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas, të drejtat e komunitetit LGBTI dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Ndërsa nga ora 12:00 aktiviteti vazhdon me marshin “Çohu për të Drejtat e Njeriut”, i cili fillon nga sheshi “Skënderbeu” deri te sheshi “Zahir Pajaziti”.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 10 dhjetor të vitit 1948, ishte mbledhur në Paris dhe kishte miratuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Deklarata doli drejtpërsëdrejti nga përvoja e Luftës së Dytë Botërore dhe paraqet shprehjen e parë globale se të gjitha qeniet njerëzore lindin me të drejta, prandaj nuk duhet t’i luten, përulen a shtrijnë dorën tjetërkujt për t’i pasur ato. /21Media

Back to top button