Martens ndan detaje nga intervista me Thaçin: 4 muaj pasi i çova 12 pyetje, Haga më njoftoi se i kanë aprovuar përgjigjet e Thaçit

Gazetari i gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, ka ndarë detaje rreth intervistës që ai ka zhvilluar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Hagë.
Gazetari Martens, në postimin e tij në rrjetin social ‘’X’’, theksoi se intervista ballë për ballë me Thaçin ‘’nuk ishte e mundur’’, dhe se pyetje do të duhej të dorëzoheshin me shkrim.
Martens bëri të ditur se, pyetjet ai i kishte paraqitur në gusht të 2025, për të cilat, u deshën katër muaj derisa Specialja e njoftoi atë, se ‘’përgjigjet e Thaçit ishin miratuar’’.
“Një intervistë ballë për ballë nuk ishte më e mundur. Pyetjet duhej të dorëzoheshin me shkrim dhe përgjigjet do të publikoheshin vetëm pas shqyrtimit nga tribunali, më thanë. Një intervistë pa mundësinë e pyetjeve kritike pasuese nuk është vërtet një intervistë. Megjithatë, ia vlente të provohej. Ndoshta përgjigjet do të ishin gjithsesi interesante. Kështu, në gusht 2025, paraqita 12 pyetje në Hagë. U deshën katër muaj derisa, në prag të Krishtlindjes 2025, gjykata më njoftoi me email se përgjigjet e Thaçit ishin miratuar.”’, ka shkruar ai.