Martin Berishaj intervistohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës

 (Lajm i përditësuar)


Martin Berishaj intervistohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës

Ambasadori i Kosovës në Kroaci është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Këtë për RTV21 e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.

Ajo ka thënë se i njëjti është intervistuar në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj tij lidhur me veprat penale “Shpëlarje e parave”.

Referuar kërkesës suaj, mund të konfirmojmë se z.Martin Berishaj është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale, në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj tij lidhur me veprat penale “Shpëlarje e parave”,

“Shmangie nga Tatimi” dhe “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave , i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.”, ka deklaruar Luta.


Avokati Gashi konfirmon se Martin Berishaj dha deklaratë në Prokuorinë Speciale

Avokati Tomë Gashi ka njoftuar se Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Për t’i ndihmuar Prokurorisë Speciale të Kosovës, sot z. Martin Berisha ka dhënë deklaratë sqaruese, me të cilën ne besojmë që i ka ndihmuar Prokurorisë për të eliminuar çdo dyshim për aferën e ndërtuar nga gazetari serb, i afërt me shërbimin sekret të Serbisë, me qëllim të dëmtimit të reputacionit të profesorit Martin Berisha, i cili është hale në sy të Serbisë dhe të disave që, me vetëdije apo pa vetëdije, i shërbejnë agjendës së Serbisë.”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Më tej ai ka falënderuar Prokuorinë dhe është shprehur i bindur se Berishaj është i pafajshëm.

“Ne i falënderohemi Prokurorisë, e cila përfundimisht besojmë që e ka kristal të qartë se Martin Berisha ka pësuar paksa dëmtim kolateral nga ata që në mënyrë patologjike e urrejnë Lëvizjen Vetëvendosje, e posaçërisht kryeministrin më të mirë që e ka pasur Kosova ndonjëherë, z. Albin Kurti.”, ka shkruar Gashi.

Intervistimi i Berishajt  vjen pas dyshimeve për një aferë financiare të Berishajt në Slloveni, për të cilën është raportuar gjerësisht në medie./21Media

Back to top button