​Martinez: Kartoni i kuq i Ronaldos ishte i ashpër

Trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, ka reaguar pas humbjes 2-0 ndaj Irlandës në Dublin, ku Cristiano Ronaldo u përjashtua për herë të parë në një ndeshje ndërkombëtare.

Ronaldo mori fillimisht një karton të verdhë për goditje me bërryl ndaj mbrojtësit Dara O’Shea, por pas rishikimit me VAR dënimi u kthye në karton të kuq. Ky ishte përjashtimi i tij i parë në 226 paraqitje me Portugalinë.

“Besoj se ishte pak i ashpër,” tha Martinez. “Cristiano për gati 60 minuta po kapet, shtyhet dhe tërhiqet. Aksioni në kamera duket më keq se në realitet. Mendoj se ishte më tepër lëvizje e trupit sesa bërryl.”

Martinez u ndal edhe te komentet e trajnerit të Irlandës, Heimir Hallgrimsson, i cili kishte përmendur ndikimin e Ronaldos te gjyqtarët në ndeshjen e mëparshme.

“E vetmja gjë që më la shije të hidhur ishin komentet e tij. Pastaj sheh një qendërmbrojtës që bie dramatikisht në tokë pas kontaktit me Cristiano,” tha tekniku i Portugalisë.

Portugalia mbetet në krye të Grupit F me dy pikë më shumë se Hungaria. Në ndeshjet e fundit të së dielës, Portugalia pret Armeninë, ndërsa Irlanda luan në transfertë ndaj Hungarisë.

Back to top button