Masakra e trefishtë në Tiranë, arrestohet Dan Hutra
Arrestohet i shumëkërkuari Dan Hutra, autor i dyshuar i vrasjes së tre grave sot në Tiranë dhe plagosjes së tre të tjerave.
Kapja e tij është bërë në Sharrë. Në operacion ka marrë pjesë dhe RENEA.
Në cilësinë e provës materiale ju sekuestrua arma e krimit kallashnikov.
Tri gra u vranë dhe 3 të tjera u plagosën në 3 vendngjarje të ndryshme, me vetëm 1 autor të dyshuar, 40-vjeçarin Dan Hutra.
Pas kishte lënë qelinë 2 javë më parë, Hutra ka shkuar mesditën e të mërkurës në banesën e ish-të dashurës së tij, Marjana Gurakuqi, të cilën e ka plagosur me thikë dhe i ka vjedhur paratë.
Pas këtij momenti, ai dyshohet se është nisur drejt Paskuqanit, ku banonte ish-gruaja e tij Elena Hysa, me të cilën ka edhe një fëmijë 4 muajshe.
Aty ai ka hapur zjarr ndaj 4 grave. Plumbat i morën jetën dy prej tyre, Mevlute Hysës, motrës së ish-gruas si dhe Hasime Dafku, e fejuara së vëllait të ish-gruas.
Dy të tjerat Elena dhe Kujtime Hysa, nënë e bijë mbetën të plagosura.
Nga kjo skenë krimi autori është larguar me një mjet tip “Benz” me targa AA 551 UX.
Pak minuta më pas në polici është raportuar për tjetër vrasje në Bathore. 31-vjeçarja Etleva Kurti, ishte gjetur e pajetë në oborrin e banesës.
Pas verifikimeve, policia ka ngritur dyshimet se edhe për këtë vrasje autori është Dan Hutra. Ky i fundit ka pasur një konflikt në burg me të vëllain e viktimës, Vladimir Kurti.
Teksa policia vijon hetimet për të zbardhur të gjithë kronologjinë dhe motivet e këtyre ngjarjeve të rënda, një dëshmi tregon se kemi me një person të dhunshëm.
“E rrihte vajzën, ishte shumë e urtë dhe më ka ardhur keq për të. Erdhi shtatzënë te babai i saj, i lindi një vajzë dhe e ka 4 muajsh. Ajo tregonte se e dhunonte jo vetëm atë por gjithë familjen”.
Pikërisht për shkak të dhunës që ai kishte ushtruar në familje, ish-gruaja e tij e Elena Hysa e pati denoncuar në polici./oranews