24-vjetori i masakrës së Mejës, Konjufca dhe Kurti kërkojnë të veprojë drejtësia

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë. Në përvjetorin e kësaj masakre dhe ditën e të pagjeturve, ata kanë bërë thirrje për drejtësi dhe efikasitet të këtij sistemi.

Kryeministri Albin Kurti tha se 24 vjet më parë, shqiptarët u vranë në mënyrë mizore nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit.

“24 vjet më vonë nuk kemi ende drejtësi dhe nuk kemi ende rehabilitim për familjet e viktimave dhe për mbarë popullin tonë. Dje në mbledhjen e qeverisë e iniciuam aderimin në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe në Kuvend do të ratifikohet në mënyrë që në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare të bëjmë hapa drejt zbardhjes së fatit të të pagjeturve, të atyre që u zhdukën me dhunë, që i rrëmbyen me forcë duke kërkuar edhe të vërtetën edhe përgjegjësinë, drejtësinë”, ka thënë ai.

Ai shtoi se në vitet e kaluara, në Policinë e Kosovës hetimet për krimet e kryera kanë qenë vetëm një sektor në kuadër të Drejtorisë për Krimet e Rënda, ndërkaq tani është bërë drejtori e veçantë.

Më tej, ai deklaroi se kanë shtuar buxhetin për prokurorinë, me shtimin edhe e numrit të prokurorëve.

“Në mesin e të vrarëve këtu në Mejë janë edhe 11 nxënës e 20 arsimtarë. Pra, janë vrarë shqiptarët pa dallim moshe, gjinie, prejardhje, feje. Ju i shihni këtu varret bashkë të myslimanëve dhe katolikëve, vetëm pse ishin shqiptarë. Shqiptarët ishin bashkë edhe ne luftë çlirimtare, por ata u vranë bashkë edhe prej forcave gjenocidale të Serbisë. Dhe tash ne i kujtojmë me mall e dhimbje si martirë e dëshmorë të kombit tonë”, ka shtuar Kurti.

Kurti edhe në Mejë ka kërkuar efikasitetin e sistemit të drejtësisë por edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Shefi i ekzekutivit është pyetur se kur do të përfundojnë punimet në Kompleksin Memorial në Mejë, ku tha se prioriteti kryesor duhet të jetë drejtësia.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe të Sportit por edhe gjithë qeveria është duke u angazhuar që në njërën anë të ndajmë mjete dhe në anën tjetër të kryejmë punimet në mënyrë që memorialet të jenë në nivelin e duhur për kujtesën tonë kolektive, por edhe në aspektin e qëndrueshmërisë materiale dhe estetike. Edhe këtë ne do ta përfundojmë”, deklaroi Kurti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se sot po kujtojnë aktin më të madh të gjenocidit qe ka ndodhur në Kosovë.

“377 shqiptarë janë ekzekutuar mizorisht prej forcave të ushtrisë dhe policisë së Serbisë. Kjo ditë po ashtu është dita e të zhdukurve me dhunë në Republikën e Kosovës. Së pari, duhet të flasim për atë që e ka bërë ketë masakër, shteti i Serbisë, përgjegjësia është në shtetin e Serbisë meqë çdo segment qe ka marrë pjesë është e qartë urdhërdhënia, është e qartë përgjegjësia shtetërore, komanduese brenda ushtrisë, brenda aparatit shtetëror. Prandaj, ne gjithmonë duhet ta specifikojmë se përgjegjësi dihet, personat që e kanë kryer këtë masakër dihen. Ajo që ka munguar, e vetmja, është drejtësia që nuk ka ardhur në vendin tonë. Së dyti, gjithmonë duhet ta kujtojmë e kurrë nuk duhet ta harrojmë që ky është një krim i shumëfishtë. Për shkak se jo vetëm është planifikuar, ekzekutuar nga ana e Serbisë, por shumë prej të vrarëve janë rrëmbyer e trupat e tyre janë zhdukur. 36 persona jomadhorë janë ekzekutuar në këtë masakër, janë të mitur. Dhe për ketë deri tashmë askush nuk ka dhënë përgjegjësi serioze”, ka thënë Konjufca.

Kryeparlamentari Konjufca i thirrje drejtësisë vendore e ndërkombëtare që ta kryejnë punën, meqë dëshmitarët janë ende gjallë dhe kanë parë se çfarë ka ndodhur 24 vjet më parë.

“Deri më tash ka pasur fare pak interesim edhe prej mekanizmave tonë shtetërorë të drejtësisë, por edhe prej mekanizmave ndërkombëtarë që drejtësia të vihet në vend për këta familjarë. Sepse që 24 vjrt janë duke jetuar me tmerrin e ankthit prej mënhjesit deri në mbrëmje, 24 vite duke mos e ditur shumica prej tyre as fatin e më të dashurve të tyre”, shtoi ai.

Osmani: Meja është plaga jonë e përhershme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar masakrën e Mejës. Sipas Osmanit, në Mejë ka ende varre të hapura, ka nëna që vijnë aty dhe qajnë pranë varrit të zbrazët, sepse regjimi serb ende i mban të fshehura të dhënat për vendndodhjen e të vrarëve të Mejës e të gjithë Kosovës.

“Sot kujtojmë njërën ndër masakrat më të tmerrshme të regjimit serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës, atë të Mejës, në të cilën 376 burra të moshës 15 deri në 75 vjeç, 36 nga të cilët nën 18-vjeç, u ekzekutuan nga polica dhe ushtria serbe. Meja është plaga jonë e përhershme, por edhe gurë që duhet të peshojë rëndë në ndërgjegjen e regjimit serb, të djeshmit, i cili në mënyrë të planifikuar i ndau e i vrau bijtë tanë, i fshehu ose i zhduku përjetësisht kufomat e tyre, sikur edhe i këtij të sotmit, i cili vazhdon të jetojë mbi krimet e kryera nga shteti i tyre, pa e vrarë ndërgjegjen dhe pa u kërkuar falje viktimave. Prandaj, e themi zëshëm, këtu e përditë: të vrarët e Mejës janë viktima të gjenocidit serb të kryer në Kosovë. Ky gjenocid duhet të njihet me emrin e vërtetë. Meja është dëshmia e pamohueshme e një synimi të tmerrshëm të një shteti për vrasjen kolektive të një populli, por edhe thirrja e përhershme e jona për ta artikuluar kumbueshëm thirrjen tonë për drejtësi. Në Mejë ka ende varre të hapura, ka nëna që vijnë aty dhe qajnë pranë varrit të zbrazët, sepse regjimi serb ende i mban të fshehura të dhënat për vendndodhjen e të vrarëve të Mejës e të gjithë Kosovës”, ka thënë Osmani.

Masakra në Mejë, u vranë 376 persona

Sot shënohet përvjetori i 24-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill 1999 u vranë 376 persona.

Në përkujtim të kësaj ngjarjeje tragjike, sot në orën 13:00 në kompleksin memorial në Mejë do të mbahen homazhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Fillimisht, Osmani, Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti do të bëjnë nderime te Memoriali për të Pagjeturit para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në orën 10:00.

22 vjet më parë, forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës.

Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

Grumbullimi i djemve dhe burrave në grupe nga mosha 15-60 vjeç filloi në orët e hershme të mëngjesit.

Në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë djemtë dhe burrat shtëpi për shtëpi.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Slobodan Millosheviqit më 27 prill 1992.

Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi.

Përkundër kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë.

Back to top button