Kaloni te përmbajtja kryesore

Masat ndëshkuese rrezikojnë thithjen e fondeve nga BE-ja për Kosovën

Në kuadër të Samitit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor që është mbajtur në Maqedoninë e Veriut, kryeministri, Albin Kurti, ka kërkuar nga BE-ja që edhe Kosova të përfshihet në planin e BE-së në të cilin parashihen investime 6 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Plani i rritjes nënkupton 6 miliardë euro për rajonin tonë, me ç’rast sasia e mjeteve që merret varet nga punët e mira që bëjmë dhe nga performanca e suksesshme që e tregojmë. Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq ditëve në vijim do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative. Sa i përket reformave, aty në qendër e kemi reformën në administratë publike dhe të menaxhimit të financave publike, ndërkaq të projekteve i kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor”, tha Kurti.

Thithja e fondeve nga BE-ja për Kosovën është vënë në pikëpyetje për faktin se BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovën. Por, ligjëruesi i proceseve integruese, Avni Mazreku, e quan dështim të BE-së nëse vendos kushte të tilla ndaj Kosovës.

‘’Nëse BE-ja do ta përcjellë një politik të zgjerimit BE-ja duhet të vendos hapa konkret që kanë të bëjnë me politikën e zgjerimit, ato janë normalizimi i raporteve politike të BE-së me vendet e Ballkanit  Perëndimor, së pari duhet që pesëshja e BE-së  duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës”, tha Mazreku për RTV21.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, vlerëson se është pak e vështirë që Kosova të përfitoj fonde nga BE-ja për shkak të masave ndëshkuese. Sipas tij, është e domosdoshme bashkëpunimi midis Kosovës dhe Serbisë për të përfituar nga BE-ja.

‘’Porosia kryesore e këtij samiti ishte që vendet e Ballkanit duhet të bashkëpunojnë që të përfitojnë nga fondet e BE-së”, tha Muhaxheri.

BE-ja ka kushtëzuar procesin e integrimit për Kosovës dhe Serbinë në rrugën integruese me progres konkret në dialogun e Brukselit. Kryeministri Kurti gjatë Samitit të BE-së në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE dhe mekanizma të tjerë nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

“Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin as demokracinë”, tha Kurti.

Por, analisti politik, Artan Muhaxhiri, e sheh të pa ndarë procesin e dialogut me përparimin e Kosovës në rrugën integruese dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

‘’procesi i dialogut është 100% i lidhur me rrugën integruese. Dialog ka peshë jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë por për të gjithë rajonin”, tha Muhaxheri.

Bashkimi Evropian në qershor të vitit të kaluar kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës. BE-ja nuk ka dhënë sinjale për heqjen e tyre./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button