​MASHTI u dërgon mësimdhënësve katalogun se cilat libra mund t’i zgjedhin

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton se ka dërguar në të gjitha drejtoritë komunale të arsimit, katalogun e teksteve shkollore për klasat 1 deri në 5, për vitin shkollor 2025/2026, si dhe linqet e teksteve fituese të shtëpive botuese, të cilat janë në dispozicion për mësimdhënësit.

Sipas MAShTI-së, ky hap është ndërmarrë me qëllim të rritjes së cilësisë së arsimit, përzgjedhjes së teksteve më të përshtatshme për nxënësit dhe për të siguruar transparencë e profesionalizëm në procesin e përzgjedhjes.

“Përzgjedhja e teksteve duhet të bëhet ekskluzivisht nga katalogu i aprovuar nga MAShTI, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ky proces do të realizohet nga aktivat profesionale të mësimdhënësve në secilën komunë. MAShTI bën të ditur se ky proces është duke u monitoruar dhe inkurajon mësimdhënësit që ta kryejnë me përgjegjësi dhe përkushtim detyrën e përzgjedhjes së teksteve më të përshtatshme për nxënësit. Afati i fundit për dorëzimin e katalogut të përzgjedhur nga DKA në MAShTI është data 15 korrik 2025”, thuhet në njoftim.

Back to top button