Mashtrime në emër të KEDS, qytetarëve u kërkohen pagesa përmes linqeve

KEDS ka paralajmëruar konsumatorët për mesazhe mashtruese që po qarkullojnë së fundmi në telefonat mobilë, të cilat paraqiten rrejshëm si njoftime zyrtare të kompanisë dhe kërkojnë pagesën e energjisë elektrike përmes linqeve të dyshimta.
Nga KEDS bëhet e ditur se kompania nuk dërgon mesazhe SMS për pagesa dhe nuk kërkon asnjëherë pagesa përmes linqeve. Për këtë arsye, qytetarët ftohen të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos bien pre e mashtrimeve.
Në rast se pranojnë një mesazh të tillë, KEDS këshillon që të mos klikojnë në asnjë link, të mos vendosin të dhëna bankare apo personale në linqe të dyshimta.
Sipas njoftimit, pagesat për energjinë elektrike vazhdojnë të bëhen vetëm në mënyrat zyrtare, përkatësisht në pikat e KESCO-s dhe përmes platformës e-KESCO. Për informacione të sakta, konsumatorët duhet t’i referohen vetëm njoftimeve të publikuara në faqet zyrtare të KEDS.