Matoshi: Ndodhi investimi më i madh i huaj në Kosovë

Arrihet marrëveshja e cila siguron investime të një kompanie amerikane

Përgjegjësi për medie në Qeverinë e Kosovës, Halil Matoshi sot ka njoftuar se në ndodhi investimi më i madh në Kosovë.

Bëhet fjalë për një marrëveshje e cila siguron investime të një kompanie amerikane në shumë prej 1.300 miliardë euro.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ne takim me Komitetin Drejtues për Termocentralin “Kosova e Re” dhe përfaqësuesit e Kompanisë amerikane “Contour Global”, ka arrite marrëveshjen për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Marrëveshja siguron investime te kompanise amerikane prej 1.300 miliarde euro. Pas finalizimit, ky projekt do të sigurojë pavarësinë energjetike për shtetin dhe popullin e Kosovës. Termocentrali do të ndërtohet me një bllok të vetëm superkritik, me efiçiencë minimum 40% dhe kapacitet elektrik bruto prej 500 MW”, tha Matoshi përmes një shkrimi në “Facebook”.

Ai tha se me komponentën e koogjenerimit për ngrohjen qendrore, do të ketë kapacitete shumë më të mëdha për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes për qytetin e Prishtinës, Obiliqit, Drenasit dhe Fushë Kosovës.

Sipas Matoshit kjo arritje është rezultat i punës shumëvjeçare të qeverive të Kosovës, i shumë njerëzve, shumë ekspertëve dhe siç thotë ai një finale maestrale të kryeministrit Haradinaj!

“Termocentrali i ri do të fillojë të ndërtohet në vitin 2018 dhe do të jetë funksional që nga viti 2023, do të jetë i ndërtuar me fjalën e fundit të teknologjisë dhe në këtë mënyrë do të reflektojë në uljen e emetimit të gazrave, respektivisht në ruajtjen e mjedisit”, ka shkruar Halil Matoshi.

Ai tha se ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” është ngjarje historike për popullin e Kosovës sepse energjia është kushti i pashmangshëm për të ardhmen prosperuese ekonomike, politike dhe sociale.
Kosova e re nxit investiet tjera te huaja dhe krijon bende te reja pune./21Media

Back to top button