May: Asnjë vend për Skocinë në negociatat për Brexit
May hodhi poshtë një kërkesë të kryeministres skoceze
Kryeministrja britanike, Theresa May refuzoi sot që independentistët në pushtet në Skoci të ulen në tryezën e negociatave për Brexit, duke prezantuar në Edimburg programin e partisë së saj për zgjedhjet legjislative të 8 qershorit.
“Gjatë këtyre bisedimeve, do të negocioja si kryeministre e Britanisë së Madhe. Ne do të vazhdojmë të diskutojmë dhe punojmë me qeverinë skoceze dhe administratat e tjera rajonale, por përsa i përket atyre që do të jenë në tryezën e negociatave, zgjedhja e 8 qershorit është shumë e qartë, do të jem unë ose Jeremy Corbyn, kreu u opozitës laburiste”, deklaroi May .
Ajo hodhi poshtë një kërkesë të kryeministres skoceze, Nicola Sturgeon, e cila kërkon mbajtjen e Skocisë në BE ose të paktën në tregun unik evropian, një nga shkaqet që rajoni votoi masivisht kundër Brexit në referendumin e 23 qershorit 2016.
Sturgeon u kërkoi gjithashtu më 14 maj skocezëve të votonin më 8 qershor për partinë e saj SNP (Partia Kombëtare Skoceze) për t’i dhënë mjetet e nevojshme për riforcimin e kartave të Skocisë në këto negociata, për të siguruar një vend në tryezën e negociatave dhe për t’u shprehur në mbështetje të pranisë së Skocisë në tregun unik.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?