Mazreku: BE-ja me veprime kontradiktore

Qeveria e Kosovës e ka kundërshtuar vendimin e Parlamentit Evropian që serbeve të Kosovës që posedojnë pasaporta të Serbisë t’u liberalizohen vizat. Këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu, tha se vendimi cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Kadiu paralajmëroi reagimin e Qeverisë ndaj BE-së dhe kundërshtimin e vendimit. Ndërkohë edhe Asistentja në Asamblenë e Parlamentit Evropian, Federica Woelk në një përgjigje për RTV21 ka thënë se vendimi i jep arsye Serbisë që ta destabilizoj Kosovën.
Një vendim që mori dritën jeshile nga Komisioni për liri qytetare dhe punë të brendshme i Parlamentit Evropian përfshirë edhe ambasadorëve të vendve anëtare të BE-së që t’i liberalizojë vizat për qytetarët serbë që posedojnë pasaporta të Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën është kundërshtuar nga Qeveria e Kosovës.
Këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klsiman Kadiu, tha për RTV21 se ky veprim minon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Që kur ka nis kjo iniciativë ne e kemi kundërshtuar sepse kjo nuk e reflekton realitetin i cili ndodhet në terren. Këto pasaporta janë ilegale dhe të papranueshme sepse ato pasaporta nuk e njohin sepse ato i paraqesin qytetet e Kosovës si pjesë e Serbise duke përben shkelje të sovranitetit”, tha Kadiu.
Asistentja në Parlamentin Evropian, Federica Woelk, në një përgjigje për RTV21, vlerëson se vendimi i Komisioni për liri qytetare dhe punë të brendshme i Parlamentit Evropian është për keqardhje dhe cenim i sovranitetit të Kosovës.
“Unë jam absolutisht kundër këtij vendimi. Në fakt besoj se cenon sovranitetin e Kosovës, pasi i jep legjitimitet këtyre strukturave paralele që minojnë Kosovën si shtet dhe kam frikë se kjo vetëm i jep më shumë fuqi dhe arsye Serbisë që të përpiqet të destabilizojë Kosovën, jam shumë e shqetësuar”, tha ajo.
Ligjëruesi i integrimeve Evropiane, Avni Mazreku, kritikon BE-në për qasje kontradiktore sa i përket Kosovës. Sipas tij, vendimi që t’i liberalizohen vizat serbëve me pasaporta të Serbisë krijon precedent të rrezikshëm.
‘’Ky veprim i BE-së janë kontradiktë e të gjitha veprimeve që ka bërë BE-ja në Kosovë në funksion të integrimit të serbëve të Kosovës në jetën institucionale. Ky vendim i bënë shtytje strukturave paralele. Pajisja me pasaporta të Serbisë nga zyra ndërlidhëse është pengim për integrimin e serbëve të Kosovës në institucione. Veprimi i BE-së bie ndesh me vlerat e saj fondamentale mbi të cilat është ndërtuar”, tha Mazreku.
Këshilltari i Qeverisë, Klisman Kadiu, ka përgënjeshtruar arsyen që është dhënë në raportin e përpilua nga deputeti slloven, Matjazh në të cilin thuhet se; zgjerimi i liberalizimit të vizave të BE-së për banorët serbë të Kosovës është i rëndësishëm për të parandaluar diskriminim ndaj këtyre qytetarëve të cilët rrezikojnë të trajtohen ndryshe nga banorët e tjerë. Kadiu tha se ka një rritje të përqindjes së qytetarëve serbë që dëshirojnë të pajisen me pasaporta të Kosovës. Sipas tij, veprimet e tilla të strukturave të BE-së do ta pengojnë integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
“Ka pasur rritje të paisjes me pasaporta të Kosovës. Ky ka qenë një sinjal i fortë që ka shkaktuar liberalizimi i vizave. Qytetarët serbë kanë dëshmuar se nuk e kanë problem të pajisen me pasaporta të Kosovës”, tha Kadiu tutje.
Raporti që mundëson liberalizimin e vizave për qytetarët serbë të Kosovës me pasaporta të Serbisë duhet të miratohet edhe nga Këshilli i Ministrave./RTV21/21Media