Mbahet Kampionati individual i Kosovës për veteranë në pingpong

Palestra “Astrit Bytyçi” në Ferizaj u shndërrua sot në qendrën e veteranëve të sportit, ku po mbahet Kampionati i Ping-Pongut i Kosovës për Veteranë.

Eventi, i cili nisi në orët e paradites, ka mbledhur ish-sportistë dhe dashamirë të këtijë sporti nga e gjithë Kosova, të ndarë në pesë kategori të moshave, duke filluar nga 40 e deri mbi 80 vjeç.

Për ecurinë dhe rëndësinë e këtij organizimi, foli Sheremet Hoti, përfaqësues i Federatës së Pingpongut, i cili u shpreh:

“Ndjehem mirë dhe krenar që kemi organizuar kampionatin që e mbajmë çdo vit. Kjo garë mbahet që shumë vite dhe tashmë është traditë, sepse veteranët e këtij sporti janë e kaluara, janë historia e kësaj federate dhe frymëzimi i gjeneratave të reja. Sot është shumë rëndësi këtu, ku kemi grupmosha prej 40 deri në 86 vjeç.”

Në këtë kampionat nuk munguan as emrat e njohur që tërë jetën ia dedikuan sportit.

Faik Çitaku, 84-vjeçar, profesor i edukimit fizik, trajner dhe refer ndërkombëtar i pingpongut, tashmë në pension, tregoi se si sporti e ka mbajtur aktiv për mbi pesë dekada:

“Mbi 50 vjet merrem me pingpong dhe sporte tjera. Si mësues i sportit i kam mësuar fëmijët dhe studentët notin, skijimin, ndërsa hendbollin e kam pasur numër një e pingpongun numër dy. Si garues, mësues, jam edhe trajner dhe refer ndërkombëtar i pingpongut. Tash jam në pension.

Lidhur me interesimin e rinisë dhe kushtet, ai shtoi:

“Interesim ka, por duhet ne të vjetrit, Federata dhe Komiteti Olimpik me ndiku më shumë në shkolla, ku është baza e mësimit, e artit dhe sportit. Shkollat duhet të kenë më shumë se një tavolinë pingpongu. Atëherë nuk ka pasur kushte, po tash janë kushtet më të mira. Besoj që duhet të ec edhe më shumë ky sport, posaçërisht për Lojërat Mesdhetare që do të mbahen në Kosovë, që do të jetë një stimul e shtytje edhe më e madhe e do të kemi objekte edhe më të mira për këtë sport” u shpreh Çitaku.

Në fund, për rëndësinë shëndetësore dhe organizative të këtij kampionati, foli Dr. Sadri Hulaj, mjek i emergjencës dhe kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Federatës së Pingpongut:

“Jam mjek i emergjencës dhe luaj shumë vite. Vitet e fundit jemi kategorizuar në grupmosha, që është lehtësi për lojtarët, që të mos luajë dikush më i fortë me dikush më të dobët e të humbet vullneti për lojë. Përkundrazi, tash jemi takuar pas disa muajve dhe ishte një atmosferë shumë e këndshme, u gëzohemi takimeve të tilla. Si mjek, e shoh që të gjithë jemi të shëndoshë dhe me këtë aktivitet ne bëjmë një preventive të sëmundjeve. Për momentin është turneu i dytë prej Shoqatës së Veteranëve dhe kemi disa turne tjerë që i mbajmë në vit, por marrim pjesë edhe në garat në Shqipëri e Mal të Zi”,

Lidhur me rekomandimin e pingpongut nga ana mjekësore, ai shtoi:

“Marrja me sport është preventiva më e mirë e sëmundjeve, edhe pingpongu është më karakteristik, ka shumë benefite dhe nuk ka lëndime të mëdha. Unë si mjek shumë pak ose rrallë has lëndime prej pingpongut në krahasim me sportet e tjera. Ky sport vlen për të gjithë”, deklaroi Hulaj

Back to top button