Mbahet konferenca e tretë për rastin e Pjetër Shalës
Sot, në orën 9:00 do të mbahet konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes, në rastin ku ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, po akuzohet për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Konferenca mbi ecurinë e çështjes gjyqësore parashihet me rregullën 96 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK).
Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është bërë e ditur në komunikatën e Speciales.